Me sytë nga Brukseli miliona grekë presin me ankth vendimet që do merren në dy samitet e larta, prej të cilave varet fati i vendit.
Reduktimi i borxhit grek është dëgjuar prej shumë kohësh si një zgjidhje për problemet e mprehta të krizës në eurozonë. Por qytetarët e thjeshtë në Greqi, janë zhgënjyer kur me një përllogaritje të parë, përceptojnë se edhe nëse borxhi reduktohet në masën 50% , përfitimi që do të ketë vendi do të jetë vetëm rreth 30 miliard euro. Kjo për faktin se nga kjo qethje e borxhit, që shkon tashmë në 360 miliard euro, përjashtohen 65 miliard që janë kreditë e Trojkës, 60 miliard të tjera bondet greke të thesarit të blera nga BQE, 20 miliard kredi të reja të shtetit grek,15 miliard bono thesari me interes të shkurtër, si dhe 45 miliard kredi që mbarojnë në 2020, gjithësej pra 205 miliard euro. Nga 155 miliard që ngelen do të reduktohen 75 me 80 miliard.
Por menjëherë të nesërmen e këtij veprimi bankat greke dhe skemat e pensioneve që do të humbasin mbi 35 miliard së bashku, do të kenë nevojë për rikapitalizim me një vlerë prej 50 miliard euro, shumë që do të huazohet përsëri nga Trojka dhe si rezulat borxhi do të shkojë përsëri në 260 miliard euro, pa llogaritur këtu normat e interesit.
Sipas raportit të FMN-së, në 2013-n borxhi grek do të shkojë në 186% të GDP dhe deri në fund të 2020 do të ketë rënë në 150%, kurse nevojat financiare për financimin e tij në këtë vit do të tejkalojnë shifrën prej 440 miliard euro, një bilanc shokues që tregon se grekët janë tashmë të destinuar të paguajnë për shumë vite me radhë.
Ministrja austriake e Financave, Maria Fekter ka deklaruar se grekët duhet të përceptojnë që dhimbja nuk do të ndalojë, derisa të rivendosin qendrueshmërinë e financave të tyre publike.
Nga ana tjetër qytetarët e thjeshtë, të dëshpëruar, të coroditur, të indinjuar, por dhe të frikesuar dëgjojnë cdo ditë në 18 muajt e fundit nga qeveritarët e tyre se duhet të bëjnë sakrifica për t’iu shmangur falimentimit, por ai tashmë është më pranë se kurdoherë tjetër.
Të gjithë tashmë e dinë se zgjidhja do të jetë tepër e dhimbshme, por sic shprehen tashmë hapur kudo “më mirë një fund i tmerrshëm, pra falimentimi dhe rifillimi nga e para, sesa një tmerr pa fund”.
Top Channel