Sokol Hazizaj – Në rekomandimet e OSBE-së për zgjedhjet vendore të 8
majit në vendin tonë të bie në sy që në afro pesëdhjetë për qind të
tyre, fokusi i këshillimeve është në drejtim të përmirësimit të situatës
politike.

Po ashtu ne fokus ishte edhe domosdoshmëria e subjekteve politike për të kuptuar më mirë procesin e votimit si proces tërësisht qytetar në kërkim të mirëadministrimit të qeverisjes vendore dhe më tej, dhe jo një proces ku politika realizon objektivat e veta individuale në funksion të arbitrarizimit të procesit elektoral. Përpunimi i reformës zgjedhore është një proces i thjeshtë; sa kohë nga palët politike pjesëmarrëse shihet si eveniment i rëndësishëm teknik, në momentin që ky proces krijon idenë se pas tij fshihet fitorja zgjedhore, pra pushteti, atëherë problemi i reformës merr pamje të ashpër, duke u stërholluar dhe mbjellë kaq shumë konflikte, sa jo vetëm problemi nuk merr zgjidhje, por rëndohet duke përvijuar taktika dhe teknika procedurale të çuditshme, si ato të zgjedhjeve lokale të fundit, rezultati i të cilave ende edhe sot prej qytetarëve nuk dihet se kush ka fituar. Papërcaktueshmëria e fituesit nuk është fare e parëndësishme në kohën që jetojmë, sepse në të kundërt ne do të dinim se ku duhet të zgjidhnim problemet tona nga njëra anë, dhe nga ana tjetër zgjidhësit ose fituesit do të merrnin përgjegjësitë e tyre.

Në këtë situatë kaotike, ku nuk dihet se kush është humbësi dhe kush fituesi, ata që e pësojnë janë qytetarët, përndryshe jeta do të kishte më shumë vlerë, shëndeti do të kishte më shumë përkujdesje, arsimi dhe me radhë do të ishin në binarë më stabilë.

Pra, pamundësia për t’u angazhuar dhe për të formatuar reformën zgjedhore në kuptimin filozofik, sjell për pasojë shfaqjen e dy dimensioneve sociale mbi të drejtën. Njëri vështrim e konsideron të drejtën, të drejtën zgjedhore në veçanti, si mekanizëm apo produkt vetëm të shtetit, thelbi i së cilës qëndron në krijimin e bindjes se e drejta nuk ka themel tjetër dhe arsye për të ekzistuar përveç faktit të vullnetit të shtetit që e krijon, dhe kjo është pozita politike, dhe nga ana tjetër funksionon ideja se ekziston e drejta natyrore universale e të gjithëve, e përbashkët për gjithë njerëzimin, ku njëra nga palët kundërshton të parën në forma dhe me mjete nga më të ndryshmet, kjo është opozita. Ndaj dhe në vlerësimin e përhershëm të ndërkombëtarëve konstatohet bipolarizimi politik i ashpër, duke përbërë arsyen kryesore që nuk arrihen të konsolidohen zgjedhje të mira.

Duke qenë se në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet e fundit lokale në vendin tonë konstatohet lehtë se pjesa dërmuese e tyre kanë në thelbin e tyre përmirësimin e karakterit politik të situatës midis përfaqësimit politik aktual, fjalitë si “duhet të tregohet vullnet politik” apo “gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve socialë dhe institucionalë në reformë” nuk janë të rastësishme, por janë tregues bindës se ende në thelb të politikës tonë qëndron motoja vulgare se, “vetëm me mua nuk e kanë”.

Duke lënë mënjanë analizën politike mbi ndasitë e thella mes përfaqësimit politik në vendin tonë, ajo që në vëzhgimin tim ngelet për t’u vlerësuar në realizimin e një procesi zgjedhor normal, por dhe të besueshëm, duke mos harruar se disa defekte të së kaluarës janë riparuar, janë dy momente:

•    Sigurimi i një procesi votimi larg atij familjar, transparent dhe të barabartë për çdo shtetas, që do të thotë shmangia në mënyrë absolute e votimit nga një person për gjithë familjen, qoftë dhe kryefamiljar. Duke mos e konsideruar këtë vetëm si detyrim të organeve shtetërore, theksoj se zgjidhja e këtij momenti elektoral, dhe i provuar në proceset tona të mëparshme elektorale dhe në vendet e zhvilluara si Kanadaja dhe më tej, është pajisja e shtetasve me kartat e votuesve (voter identification), të cilat jo si më parë, nuk duhet të shpërndahen në çdo derë shqiptari, por duke u shpërndarë në çdo qendër votimi bashkë me listat zgjedhore të qendrës së votimit. Më saktë shpjegoj, se kur shtetasi kërkon të votojë në qendrën e votimit, identifikimi tij kryhet jo vetëm nëpërmjet listës zgjedhore, kartës së identitetit, por dhe nëpërmjet pajisjes pranë asaj qendre edhe me kartën e votuesit, e cila mund të jetë shumëpërdorimshme ose vetëm njëherë. Për mbledhjen e kartave të votuesve, krahas kutive të votimit, vendoset dhe një kuti tjetër, ku shtetasi pasi hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse, hedh në kutinë tjetër kartën e votuesit. Kjo mënyrë votimi shmang në mënyrë absolute çdo lloj sistemi manipulativ të votimit familjar ose arbitrar të formave të ndryshme, po njëkohësisht, nga komisionerët numërues ose numëruesi elektronik qartësohet se numri i fletëve të votimit në kutinë e votimit duhet të jetë i barabartë me numrin e kartave të votuesit në kutinë përkatëse. Çdo mospërputhje midis tyre do të çonte në pavlefshmëri të procesit të votimit, duke e pranuar atë si të manipuluar ose të pavlefshëm. Ky proces është i thjeshtë dhe i provuar në shumë vende të tjera me probleme zgjedhore. Në kuptimin tekniko-ligjor, realizimi tij kërkon ndërhyrje të lehta në ligjin “Për gjendjen civile”, duke imponuar realizimin e një procesi adekuat të pajisjes së çdo shtetasi me karta identiteti brenda një kohe të caktuar, proces i cili do të passillet me përpunimin e listave zgjedhore korrekte. Çdo paqartësi ligjore midis tyre do ta hidhte në erë procesin zgjedhor, për të cilin nuk ka nevojë asnjë subjekt politik. Realizimi i këtij procesi do të ndikonte shumë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në administrimin e procesit të numërimit të votave në mënyrë elektronike dhe të përqendruar. Ne mund të jemi i vetmi vend në botën e zhvilluar që jo vetëm paragjykimi është fenomen moral, por është kthyer në institucion, shkaqet e të cilit sa po vijnë dhe po zgjerohen, që do të thotë se njerëzit po e humbasin besimin te forca humane për të menaxhuar një proces qoftë dhe i thjeshtë. Humbja e besimit te forca humane është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një shoqërie, sado e zhvilluar që pretendon të jetë ajo, shpëtimin apo shërimin e së cilës në kohët moderne pretendojnë ta bëjnë nëpërmjet produktit kompjuterik njerëzor. Duke pranuar këtë “fatkeqësi”, si dhe duke qenë të bindur përpara saj, procesi i numërimit elektronik të votave konsiderohet si mjeti shpëtues i varkës humane që po mbytet.

•    Procesi elektronik i numërimit të votave është i provuar tashmë, dhe i ka dhënë rezultatet e veta në shumë vende të zhvilluara dhe konkurrente gjithashtu, të cilat në kohë shumë të shpejtë kanë përpunuar rezultate thuajse të sakta dhe bindëse, si në Angli, Itali, Maqedoni etj. Realizimi teknik i këtij procesi në vendin tonë është i thjeshtë, duke siguruar dhe eliminimin e mundësisë të krijimit të procesit paragjykues në hapat e mëvonshëm.

Teknikisht, menaxhimi i numërimit të votës trajtohet nëpërmjet skanimit dhe njohjes automatike të shenjës së votuesve në fletëvotim, duke i ofruar autoriteteve administruese zgjedhore saktësinë, paanshmërinë, shpejtësinë dhe kosto efektive të përpunimit edhe për vëllime të mëdha të fletëve të votimit. Mjafton që KQZ-ja të miratojë përdorimin e barkodit si shenjë zyrtare në çdo fletë votimi, si dhe të përcaktojë vendin e përqendruar ku do të numërohen të gjitha votat në rang kombëtar, pra numërim i përqendruar. Meqenëse për shkak të arsyeve historike për fshehtësinë e votimit, fletët e votimit palosen nga ana e votuesve para se të hidhen brenda kutive të votimit, si dhe meqenëse çdo fletë votimi do të skanohet, del nevoja e procesit të shpalosjes së fletëve të votimit përpara skanimit. Ky është një veprim manual dhe duhet pasur parasysh numri i personelit dhe hapësira e nevojshme për të shpalosur fletët e votimit, në mënyrë që ato të bëhen të gatshme për t’u skanuar. Nga pikëpamja e teknikës së skanimit, sa më pak e palosur të jetë fleta e votimit, aq më mirë dhe më lehtësisht realizohet procesi i skanimit. Sot ekzistojnë teknika speciale, të cilat mund të përdoren në dizajnimin dhe prodhimin e fletëve të votimit për të minimizuar numrin e palosjeve dhe gjithashtu për të “bindur” votuesit ku mundet t’i palosin fletët. Kjo ndihmon në përpunimin dhe në procesin e njohjes. Në varësi të përmasave të fletëve të votimit varet edhe koha e numërimit dhe kostos së tij, që do të thotë se nëse fletët e votimit janë më të shkurtra, mundet që numri i skanerëve, pra edhe koha për të skanuar një fletëvotim do të zvogëlohen. 
Realizimi i procesit të numërimit të votave në mënyrë të përqendruar, pranë KQZ-s, bën të mundur që periudha kohore midis shpalljes së listës së kandidatëve të nominuar dhe asaj për dërgimin e fletëve të votimit në qendrat e votimit mund të jetë tepër e shkurtër. Për më tepër, KQZ-ja, paraprakisht në çdo moment kontrollon të dhënat e kandidatit dhe logon e saktë te subjektit politik, mund të shikojë një kopje elektronike të fletës së votimit në mënyrë të menjëhershme, on-line pranë subjekteve, dhe mund të kryen atë që quhet korrigjim bocash në mënyrë të shpejtë, nëse kjo është e nevojshme. Prodhimi i fletëvotimeve mund të fillojë pothuajse menjëherë pas korrigjimit dhe miratimit të fletëvotimit përfundimtar në sasinë e kërkuar, duke i siguruar sistemit kompjuterik automatikisht të importojë karakteristikat e fletëve të votimit dhe zonat ligjore të votimit.

Numërimi elektronik është zgjidhje elektronike shumë herë e provuar dhe është përdorur në shumë projekte të zgjedhjeve të mëdha dhe komplekse, jo vetëm kaq, por zgjidhja ka qenë subjekt i shumë testeve të pavarura dhe ka provuar se siguron shpejtësi, saktësi dhe seriozitet në administrimin e zgjedhjeve. Kjo mënyrë numërimi garanton përdorimin e fletëvotime unike, të veçanta dhe të sigurta nga manipulimet.

Jam përpjekur të eksploroj këto dy formate jo me dëshirën themelore që të shmang në mënyrë të ashpër natyrën njerëzore nga proceset zgjedhore, se përndryshe s’do të kishte kuptim vet njeriu, por duke qenë i përgjegjshëm se më në fund duhet edhe ne të pranojmë shumë nga defektet tona elektorale dhe paragjykuese, dhe nga ana tjetër, e meritojmë të mos vritemi, të mos fyemi, të mos ndahemi thelbësisht për rrugën drejt së cilës jemi “ndoshta” të imponuar për të shkuar, për t’u bërë dhe ne njerëz apo shtetas të një bote të përparuar, duke mos pasur frikë të pranojmë të vërtetën, e cila simbolikisht përmblidhet në fjalët: “Të jemi njerëz”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel