Ministri Britanik i Financave, George Osborne, theksoi gjatë takimit të liderave financiarë të vendeve të BE-së në Bruksel se kriza e Eurozonës është një “rrezik real” për të gjithë kontinentin.
Më parë gjatë ditës u aprovua kësti i ri i kredisë greke, i cili shpëton vendin nga një falimentim i sigurt, por Franca dhe Gjermania vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme mbi çështjet kryesore.
I cilësuar si takimi që “do t’i jepte fund” problemit të borxhit të Eurozonës, duke gjetur një plan të përbashkët, samiti rrezikon të dështojë nëse askush nuk do të bëjë kompromis. Pas takimit të Ministrave të Financave ditën e shtunë, të dielën është radha e liderave të shteteve që të mblidhen, ndërsa përcaktimi i masave të përbashkëta duhet të përfundonte deri të mërkurën e ardhshme.
”Deri tani, kemi patur shumë masa afatshkurtra, zgjidhje të përkohshme, të cilat nuk kanë arritur të zgjidhin realisht krizën, por vetëm sa e kanë shtyrë momentin në të cilin kemi mbërritur. Borxhet e Eurozonës janë një rrezik real për të gjitha ekonomitë e kontinetit, përfshi atë të Britanisë”, u shpreh Osborne.
Pasi një takim në Frankfurt nuk bëri francezët dhe gjermanët të ndanin të njëjtën pikëpamje, Presidenti Sarkozy dhe Kancelarja Merkel do të ballafaqohen sërisht të dielën, ndërsa një takim midis tyre është caktuar edhe për të mërkurën.
Dy shtetet me ekonomitë më të mëdha brenda Bashkimit Europian janë dakord për formimin e një fondi prej 440 miliardë eurosh, për t’i ardhur në ndihmë vendeve të rrezikuara, por nuk ka një marrëveshje për mekanizmat se si do të kontrollohen këto fonde. Gjithashtu, ndërsa Berlini propozon faljen e gjysmës së borxheve të Greqisë, Franca është kundër kësaj ideje, nga frika se bankat e saj do të pësonin një goditje serioze.
Top Channel