Kongresi, PS voton delegatët

22/10/2011 00:00

Partia Socialiste votoi të shtunën sipas parimit “një anëtar një votë”
për delegatët e Kongresit që do të mbahet në datë 5 nëntor. Kryetari i
Partisë Edi Rama votoi në qendrën e ngritur në minibashkinë 2 në Tiranë.

Në përfundim të votimit zoti Rama e vlerësoi pozitivisht këtë proces.

“Sot ashtu si dhe një pjesë në emigracion po votojnë për konstituimin e Kongresit të ri të PS-së. Jam shumë i kënaqur nga të dhënat që kemi deri tani për pjesëmarrjen. Ashtu si kundër jam shumë i kënaqur për konsolidimin e një tradite të promovimit të barazisë gjinore në forumet e PS”, tha Rama.

Në të gjithë Shqipërinë janë 385 qendra votimi, aq sa janë edhe njësi vendore. Synim i afishuar i këtij votimi është arritja e 30% qindëshit për delegatet femra. Për këtë, votimi për kandidatet femra u bë në një fletë të vecantë. Kongresi i datës 5 nëntor i socialistëve pritet me shumë interes për ndryshimet që do të sjellë në program, statut dhe në përbërjen e Asamblesë Kombëtare.  

Deputeti Saimir Tahiri një ditë më parë foli për rëndësinë e këtij procesi.

“Që pas ndryshimeve të fundit në statutin e Partisë Socialiste, ku është vendosur që kryetari i partisë dhe delegatët e kongresit, si forumi më i lartë vendimmarrës i Partisë Socialiste të zgjidhen përmes parimit “Një anëtar, një votë”, nesër janë të thirrur të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste, për të votuar dhe për të shprehur vullnetin e tyre, në lidhje me përfaqësuesit e deleguar në Kongresin e Partisë Socialiste. Duhet t’i japin votën e tyre për programin politik të Partisë Socialiste dhe për reformën në statutin e Partisë Socialiste. Këto janë dy elemente dy shumë të rëndësishëm: i pari ka të bëjë me rrugën që do të ndjekim ne deri në zgjedhjet e ardhshme, por edhe me parimet, principet dhe vlerat që ne ndajmë si socialistë dhe progresistë,  ndërsa reforma në statut, ka të bëjë me mënyrën se si do të organizohemi dhe cfarë aseti do të përdorim për të shkuar deri në zgjedhje dhe për t’i fituar ato”, shpjegoi Tahiri.

Një pikë e rëndësishme e Kongresit është miratimi programit politik.

“Janë ngritur prej kohësh dy grupe pune me ekspertët më të mirë të Partisë Socialiste dhe ekspertë të tjerë, dashamirës, simpatizantë të PS-së, të cilët po punojnë si në planin e reformës në statut dhe në reformën organizative të Partisë Socialiste, ashtu edhe në ndërtimin e një programi politik gjithëpërfshirës, por njëkohësisht edhe ambicioz për të ardhmen. Puna do të përfundojë në afatin e përcaktuar, për t’i dhënë kohë delegatëve për t’u njohur me të dy dokumentat”, tha Tahiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB