Doni të jetoni deri 100 vjeç? Shumë e thjeshtë

22/10/2011 13:20

Shumë njerëz do të mund të jetonin deri në moshën 100-vjeçare, nëse do të ndiqnin shtatë hapa të thjeshtë, zbuloi një studim i një kardiologu kanadez.

Sipas tij, në kushtet e jetës moderne, 90% e njerëzve mund të arrijnë pa problem në të paktën 90 vjeç ose 100, ndonjëherë edhe më shumë. Kontrollimi i dietës, i kolesterolit dhe mosabuzimi me alkoolin e duhanin janë disa prej elementeve të thjeshtë që e bëjnë jetën më të gjatë.

Këto janë shtatë gjërat që duhet të bëjmë nëse duam të shohim një shekull jetë.

1. Bëhuni aktivitë –
Studimet tregojnë se jeta sedentare i privon një njeri deri në katër vjet jetë mesatarisht. Njerëzit që nuk bëjnë një jetë aktive, preken dy herë më shumë nga infarktet apo sëmundjet e zemrës.

2. Kontrolli i kolesterolit – Nivelet e larta të kolesterolit bëjnë që nivele të larta yndyrre të depozitohen nëpër arteriet kryesore, duke rritur kështu mundësinë për infarkt dhe semundje të tjera kardiovaskulare.

3. Hani shëndetëshëm – Një dietë e shëndetshme është e domosdoshme për të jetuar gjatë. Sa më shumë fruta dhe perime kanë një impakt shumë të mirë mbi shëndetin.

4. Kontrolloni tensionin – Tensioni i lartë quhet ndryshe “vrasësi i heshtur”, sepse shpesh nuk ka paralajmërime ose simptoma. Duke mbajtur nën kontroll tensionin dhe duke u kuruar në rastet kur ai nuk është brenda kufijve, rreziku i goditjes nga infarkti reduktohet me 40%.

5. Mbani një peshë të arsyeshme – Pothuajse 2/3 e amerikanëve dhe një shifër e ngjashme në vendet perëndimore janë mbipeshë ose obezë. Dhjami i tepërt është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin, me obezën që jetojnë mesatarisht 4-6 vjet më pak.

6. Kontrolloni diabetin – Diabeti është një sëmundje shumë e përhapur, e cila bëhet vdekjeprurëse nëpërmjet dëmtimeve të shumta që mund të shkaktojë në disa organe dhe mekanizme të trupit. Sheqeri në gjak është i domosdoshëm të jetë në normën e duhur.

7. Mos pini duhan – Gjysma e atyre që pinë duhan për një kohë të gjatë vdesin më të rinj nga sëmundje si tumori, infarkti apo bronkiti kronik.

Top Channel