Ministrat e Financave të vendeve të Eurozonës miratuan këstin e radhës për huanë greke, duke shpëtuar vendin nga një falimentim i sigurt.
Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të transferojë së shpejti fondi në arkat e Athinës zyrtare, e cila për të fituar huanë e radhës iu desh të kalonte planin më të madh të shkurtimeve gjatë javës, pavarësisht protestave të dhunshme, të cilat sollën edhe vdekjen e një personi.
Ministrat, të cilët kanë nisur një konferencë disa ditore rreth krizës së Eurozonës, pritet të punojnë në një paketë të dytë shpëtimi për ekonominë greke. Megjithatë, asnjë detaj nuk është bërë i njohur deri tani.
Ndërkohë, mbetet për të parë nëse raportimet për një qëndrim të kundërt në pozitat e dy superfuqive europiane, Francës dhe Gjermanisë, është i vërtetë. Të dy vendet duket se janë dakord në formimin e një pakete emergjence prej 440 miliardë eurosh, që do të përdoret për të shpëtuar ekonomitë në krizë, por nuk janë përcaktuar mënyrat se si kjo do të bëhet.
Gjithashtu, Parisi zyrtar hedh poshtë propozimin e Berlinit për të dalur gjysmën e borxheve të Greqisë, me argumentimin se bankat franceze janë tashmë në pozita jo shumë të sigurta dhe falja e borxhit do të përkthehej me humbje të mëdha, të cilat mund të sjellin edhe reduktimin e normës së kreditimit.
Top Channel