Vettel: E njoh pistën e Indisë vetëm nëpërmjet simulatorit

21/10/2011 21:10

Sebastian Vettel, piloti i Red Bull, i cili ka fituar tashmë titullin kampion bote në Formulën 1, shprehet se po përgatitet për garën e radhës në Indi pa pasur fare njohuri për pistën Buddh ku do të zhvillohet gara.

“Di vetëm që bëhet fjalë për një cirkuit të gjatë 5.14 kilometra e që ndodhet në qytetin e Noida”, tha Vettel në një intervistë për faqen zyrtare të skuderisë Red Bull.

“Këtë pistë e kam provuar vetëm në simulator dhe vura re që ka një shpejtësi mesatare shumë të lartë dhe kjo gjë do të ndihmojë parakalimet. Është një pistë e re dhe po pres me padurim të garoj”, shton dy herë kampioni i botës.

Button: Dua të fitoj gara të tjera

Jenson Button, piloti i McLaren Mercedes, ka theksuar se skuderia anglo-gjermane është treguar kompetitive në garat e fundit dhe pret që të fitojë sërish në provat e fundit të botërorit të Formulës 1.

“Kur zbret në pistë në një cirkuit të ri është paksa e çuditshme sepse mundohesh të fiksosh në mendje shumë karakteristika në mënyrë të menjëhershme. Është një eksperiencë intensive. Makina është paraqitur mirë dhe dua të fitoj gara të tjera deri në përfundim të sezonit”, deklaroi Button, i dyti në renditjen e përgjithshme.

Top Channel