Prokurori që drejton task forcën që do të hetojë akuzat për krime lufte dhe trafik organesh, Clint Williamson zhvilloi të premten një vizitë në Kosovë.
Sipas mediave kosovare, gjatë vizitës Williamson deklaroi se hetimi i kësaj cështjeje, të bazuar në raportin e Dick Marty, do të jetë kompleks dhe i gjatë.
“Sidoqoftë, gjatë fazës fillestare task forca ka ndërmarrë disa hapa për të siguruar informacione nga një numër burimesh institucionale, për t’i analizuar ato dhe për të nisur hetimet”, citohet prokurori në një komunikatë për shtyp.
Pas takimeve të zhvilluara në Prishtinë me presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Thaci dhe zyrtarë të tjerë, Williamson do të vizitojë Serbinë e më pas Shqipërinë.
Lidhur me këtë cështje, në fillim të muajit shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac vizitoi personalisht Tiranën, ku paralajmëroi mbërritjen e një grupi prokurorësh.
Ai u takua me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, i cili shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të pritur dhe ndihmuar hetuesit.
Top Channel