Një botë pa Gaddafi-n duhet të jetë në parim një vend më i mirë. Bëhet fjalë për një tiran gjakatar, që shtypi miliona libianë dhe e përdori pasurinë e bollshme të vendit me naftë për të promovuar terrorizmin e aktet djallëzore jashtë kufijve.
Fuqitë perëndimore e përshëndetën vdekjen e diktatorit që qeverisi për më shumë se 4 dekada dhe e cilësuan si moment kulmor të betejës revolucionare që ato vetë mbështetën në Libi.
Pa ndihmën e NATO-s, forcat e Gaddafi-t do ta kishin shtypur me kohë revoltën popullore. Dhe në fund, armët e precizionit të lartë, dhuratë e forcave britanike, i ndihmuan rebelët t’i shkatërronin edhe ato pak xhepa të mbetura rezistence.
NATO-ja nuk humbi asnjë ushtar dhe numri i civilëve të vrarë gjatë konfliktit konsiderohet më i vogël se ai i viktimave të luftrave ballkanike.
Duket se vdekja e Gaddafi-t preferohej më shumë sesa jeta e tij prapa hekurave. Po të ishte gjallë, fati i tij do të kthehej në subjekt diskutimesh të ashpra.
Nëse do të gjykohej në Hagë, sic pretendonin britanikët, bota myslimane do të reagonte e zhgënjyer nga spektakli i një lideri arab të mbetur në mëshirën e drejtësisë perëndimore.
Si për t’i dhënë fund hamendësive, libianët e gjetën vetë një zgjidhje, edhe pse brutale. Por mjaft analistë mendojnë se pjesa më e vështirë do të nisë tani.
Sa të lehtë mund ta ketë krijimin e një qeverie të re dhe adoptimin e një bashkëjetese paqësore një vend i copëtuar mes rivalitetesh tribale, i cili nuk ka as traditë e as institucione demokratike?
Cdo qytet i rëndësishëm në Libi ka brigadën e vet të rebelëve, të armatosur deri në dhëmbë e të vendosur të mos i ulë armët derisa e ardhmja të nisë të përvijohet qartë.
“Unë luftova, zëri im duhet të dëgjohet”, këtë thonë ata që luftuan për rrëzimin e Gaddafi-t dhe cmimi që kërkojnë të gjithë është një copëz pushteti.
Njohësit e problemeve të Afrikës pajtohen me faktin se është e vështirë ta bësh një demokraci të funksionojë sic duhet në një shoqëri ku mungon një media e lirë, energjike dhe e përgjegjshme, ku nuk ekziston një gjyqësor i pakorruptuar e një shërbim civil me eksperiencë.
Pas ndërhyrjes së NATO-s, pakkush mund ta vinte në dyshim rënien e Gaddafi-t. Problemi tani është të arrihet siguria se dicka më e mirë do të vijë pas tij.
Top Channel