Jobs: Jap gjithçka për të shkatërruar Android

21/10/2011 14:10

Steve Jobs ishte betuar të shkatërronte sistemin “Android” të “Google” dhe u shpreh se do të ishte i gatshëm të shpenzonte të gjithë paratë e “Apple” për ta bërë këtë.

Zbulimi i ndienjave negative të Jobs vjen në biografinë e re të autorizuar, që babai i “iPhone” ka lejuar të botohet pas vdekjes së tij.

Në një citim të shkëputur nga libri që pritet të dalë së shpejti në treg, Jobs shprehet: “Do ta shkatërroj “Android”-in, pasi është një produkt i vjedhur. Do të isha i gatshëm të bëja luftë termo-bërthamore për ta rrënuar. Aq shumë e urrej, sa do të merresha me këtë deri në frymën time të fundit, do të shpenzoja të 40 miliardët e dollarëve që “Apple” ka në bankë”.

”Apple” kishte marrëdhënie të mira me “Google”, deri parpara lëshimit në treg të sistemit “Android”. Produktet e “Google”, përfshi hartat dhe motori i kërkimit, përbëjnë një prej aspekteve më të rëndësishme të sistemit të “iPhone”.

Në vitet e mëvonshme, Jobs refuzoi të përdore një seri aplikimesh të sugjeruara nga “Google”, edhe pse kështu e bëri “iPhone” një sistem më pak të integruar me rrjetin.

Top Channel