Prokurorët e misionit EULEX kanë deklaruar se kanë zgjeruar hetimet lidhur me incidentet e 25 korrikut në veri e më vonë.
Zëdhënësi Nicholas Hawton ka bërë të ditur se janë mbledhur shumë prova që do të cojnë në zbardhjen e shumë ngjarjeve dhe që do të nxjerrin para përgjegjësisë shumë persona.
Sipas zëdhënësit, është rritur edhe numri i fletë-arresteve të lëshuara, ndërkohë që numri i dëshmitarëve ka shkuar në 35.
Më 25 korrik, gjatë operacionit të forcave speciale kosovare në veri, mbeti i vrarë një polic kosovar, ndërsa në ditët në vijim u plagosën disa ushtarë të KFOR-it.
Hawton saktëson se urdhër-arrestet e përgatitura kanë të bëjnë kryesisht me banorë serbë, të cilët kanë sulmuar autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e rendit.
“Hetimet po zhvillohen në mënyrë intensive për të gjitha incidentet që kanë ndodhur. Dëshmitë janë duke u mbledhur dhe dëshmitarët duke u marrë në pyetje”, ka deklaruar zëdhënësi.
Burimi në fjalë ka saktësuar më tej se hetimet rreth kësaj cështjeje po menaxhohen nga katër prokurorë ndërkombëtarë.
Top Channel