Si sajoheshim për t’u dukur sa më bukur

20/10/2011 19:00

Sot, vishemi me fustan të shkurtër ose të gjatë, të gjerë ose të ngushtë, me krahë të gjatë ose të shkurtër , me ngjyrë të zezë apo të kuqe. Një larmishmëri ngjyrash dhe formash në veshje.

Po para viteve ’90, cili ka qenë imazhi i femrës në Shqipëri? Cilat kanë qenë modelet më të preferuara të vajzave që përpiqeshin të visheshin bukur dhe me shije?
Bardha Meçaj, rrobaqepëse që prej 1974-s, rikujton kërkesat e vajzave dhe grave në ato vite.

“Copat gjendeshin me vështirësi. Kur vinte vajza, më shumë fliste e ëma se vetë vajza, ose kur vinte me vjehrrën, shumë pak dëgjohej zëri i saj. Copat e veçanta i gjenin nga marinaret që i blenin jashtë dhe i shisnin me çmime të shtrenjta”, shprehet Bardha.

Edhe pse vajzat paragjykoheshin nga veshja, ato mundoheshin të imitonin artistët dhe këngëtarët e festivaleve, duke marrë edhe emrin e tyre.

“Në një festival doli Vaçe Zela dhe kishte një fustan me jakë të hapur si libër. Vajzat e shihnin dhe ma kërkonin si model, derisa mori edhe emrin jaka Vaçe”, kujton rrobaqepësja.

Pavarësisht vështirësive për të gjetur modelet dhe skicat e tyre, kjo nuk kthehej në një fenomen të pamundur.

“Modelet i merrja nga revistat sovjetike dhe i kopjoja me letër kalk”, thotë Bardha.

Rrobaqepëset krijonin, por pavarësisht se ishte një periudhë gri kur veshjet shiheshin herë me ngjyra e herë herë bardhë e zi, kishte modele dhe sfilata modeste që po t’i shohim në ditët e sotme duken sa arkaike, aq edhe interesante.

Top Channel