SHBA, vriten kafshët e arratisura

20/10/2011 00:00

Policia amerikane ka qëlluar dhe ka vrarë shumë kafshë ekzotike që ishin
arratisur nga një kopsht privat zoologjik në Zejnsvill të Ohajos.

Sherifi Matt Lutz deklaroi se kishte dhënë personalisht urdhërin për të qëlluar kafshët e arratisura, përfshirë arinjtë e përhimë, arinjtë e zinj, ujqit, tigrat dhe luanët.

Zyrtari tha se agjentët kanë vepruar ndaj 56 kafshëve, me përjashtim të një majmuni.

Ndërkohë, pronari i kafshëve, Terry Thompson u gjet i vdekur në kopshtin zoologjik dhe policia beson se ai është vetëvrarë.

Sherifi deklaroi se hetimet paraprake sugjerojnë se zoti Thompson i la hapur kafazet e kafshëve në fermën e tij.

Autoritetet thanë se arratija e kafshëve nga ferma prej 29 hektarësh dhe rënia e natës në qytet bëri të domosdoshëm urdhërin “qëlloni për të vrarë”.

48 nga 56 kafshët, mes të cilave 17 luanë dhe 18 tigra bengalezë, u qëlluan për vdekje në bazë të urdhërit të sherifit.

Jack Hanna, drejtues i një emisioni televiziv për natyrën, deklaroi se vrasja e tigrave ishte dicka vërtetë tragjike, duke pasur parasysh faktin se në të gjithë botën kanë mbetur vetëm rreth 1400 ekzemplarë.

Megjithatë, ai pranoi se përpjekja për të qetësuar kafshët gjatë orëve të natës është jashtëzakonisht e vështirë dhe vlerësoi se sherifi kishte bërë gjënë e duhur.

Gjashtë kafshë të tjera, tre leopardë, një ari i përhimtë dhe dy majmunë, u kapën të gjallë dhe u dërguan në një kopsht tjetër zoologjik. Ndërsa një ujk u gjet i vdekur, duke lënë vetëm një majmun “të shpallur në kërkim”.

Top Channel