Gjermani, ngadalësohet rritja ekonomike në 2012-n

20/10/2011 16:20

Gjermania ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike gjatë 2012-s, pasi parashikimet për vëllimin e eksporteve u korrigjuan në një shifër më të ulët.

Korrigjimi ndodhi pasi Ministria e Ekonomisë lajmëroi se eksportet do të rriten me vetëm 3,5%, nga 7,5% që janë rritur gjatë vitit aktual. Në një prononcim zyrtar, qeveria e ekonomisë më të fuqishme të Europës lajmëroi se rritja pritet të jetë prej vetëm 1%, nga 1,8% që ishte paralajmëruar më parë.

Raporti informoi se edhe rritja e vitit aktual, do të jetë relativisht më e ulët nga sa ishte parashikuar, nga 3 në 2,9%. Pritet që bursat europiane të reagojnë duke humbur në kuotimet e tyre si rrjedhojë e lajmit.

Gjatë javës së shkuar, institucionet vlerësuese në Gjermani informuan për një stopim të rritjes në pothuajse zero, gjatë tremujorit të fundit të 2011-s dhe tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Ata shtuan se vendi do t’i shpëtojë për fare pak asaj që njihet në ekonomi me termin “recension teknik”, i cili ndodh kur ekonomia pëson rënie për gjashtë muaj me radhë. Stanjacioni, shtuan ata, është shumë i ngjashëm të ndodhë.

Një rritje më e ngadaltë e ekonomisë së Gjermanisë, pritet ta bëjë shumë më të vështirë për pjesën tjetër të Europës që t’i shpëtojë krizës financiare.

Top Channel