F1, Vettel: Nuk jam i pathyeshëm

20/10/2011 15:55

Sebastian Vettel është i lumtur. Kampioni i dyfishtë më i ri i botës po jeton një moment shumë të gëzueshëm në karrierën e tij, por nuk po mendon në thyerjen e rekordeve.

“E adhuroj Formulën 1 që kur isha fëmijë dhe kjo gjë nuk ka ndryshuar. E njoh këtë sport, historinë e tij dhe rekordet e pilotëve. Më bëhet qejfi që emri im ka hyrë në librat e rekordeve, por nuk pilotoj për statistikat”, është shprehur piloti i Red Bull.

Edhe pse ka dominuar këtë sezon të Formulës 1 nga fillimi në fund, Vettel qëndron me këmbë në tokë sepse e di që kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Në momentin që fillon të mendosh se je i pathyeshëm do pësosh zhgënjime. Nuk ka rëndësi se je çfarë je: futbollist, basketbollist apo pilot. Gjithmonë vjen një ditë që dikush do të jetë më i mirë se ty. Për këtë arsye duhet të vlerësosh atë që ke arritur dhe të kënaqesh me momentin e mirë që po kalon. Dominime të tilla si këtë sezon ndodhin rrallë dhe vështirë se e përsërisim”, shtoi piloti gjerman.

Top Channel