Euro 2012, nuk lejohet duhani

20/10/2011 16:20

UEFA do të ndalojë pirjen e duhanit në stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e Euro 2012. Një vendim i paprecedent ky me objektivin për të ndërgjegjësuar tifozët për lidhjen që ekziston mes sportit dhe shëndetit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur në një komunikatë se UEFA do të ndalojë pirjen e duhanit në të gjitha stadiumet e Polonisë dhe Ukrainës që do të mirëpresin ndeshjet e kampionatit europian.

“Një kampionat europian pa tym do të ndikojë për mirë në shëndetin e spektatorëve dhe personave që janë të implikuar në kompeticion”, tha Michel Platini, presidenti i UEFA-s.

Zsuzsanna Jakab, drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, theksoi se “duhani vret dhe shkakton sëmundje të rënda”.

“Ndalimi i duhanit në stadiumet e Euro 2012 nuk i heq bukurinë futbollit, por bën që turneu të jetë më i sigurtë për personat e përfshirë në të dhe ndihmon Poloninë për t’i bërë ballë një problemi të madh shëndetësor”, shtoi Eva Kopacz, ministrja e shëndetësisë së polonisë.

Top Channel