Renault, edhe 2 javë kohë për Kubica

19/10/2011 11:10

Eric Boullier, shefi ekzekutiv i Lotus Renault, ka vendosur të zgjasë afatin e përgjigjes për pilotin Robert Kubica, i cili duhet të konfirmojë nëse mund të pilotojë apo jo sezonin e ardhshëm në kampionatin botëro të Formulës 1.

Polaku, i cili pësoi një aksident shumë të rëndë me makinat Rally në Itali në shkurtin e këtij viti, po rekuperohet ngadalë nga dëmtimet e krahut të djathtë që për pak e humbi.

Boullier thotë se duhet të dijë me patjetër nëse Kubica do të jetë në gjendje të pilotojë në vitin 2012 dhe do të presë edhe dy javë të tjera për të marrë përgjigje.

“Dua të organizoj vitin e ardhshëm dhe të zgjedh pilotët zyrtarë të skuderisë. Do të presim deri sa të jetë e mundur. Nëse Kubica mund të kthehet të pilotojë e dua tek Renault, por nëse shoh që diçka që nuk shkon duhet të nxitohem për zgjedhjen e pilotëve sepse punoj për interesat e skuderisë”, u shpreh Boullier.

Shefi ekzekutiv i skuderisë franceze theksoi se lajmet e fundit janë lehtësuese: “Kam folur me menaxherin e tij dhe më tha që me siguri Kubica do të kthehet. Brenda një muaji besoj se mund të bëjë një provë në simulator.”

Top Channel