Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, refuzoi të pranonte idenë se rikthimi i mundshëm në krye të shtetit i Vladimir Putinit do të forconte trendin e autoritarizmit, duke rikthyer vendin në të shkuarën sovjetike.
Konfirmimi i kandidaturës së Kryeministrit për vendin më të lartë në Kremlin, në zgjedhjet presidenciale të muajit mars ka bërë që të ekzistojnë paralajmërime të shumta, rreth mundësisë së përsëritjes së epokës 18-vjeçare të udhëheqësit të dikurshëm komunist, Leonid Brezhniev, periudhë gjatë të cilës ekonomia e Bashkimit Sovjetik u zhyt në stanjacion.
”Analogjitë janë të vagullta dhe nuk kanë asnjë lloj logjike”, deklaroi Medvedevi, gjatë një takimi me mbështetësit e tij politikë. “Ne jetojmë sot në një vend tjetër, i cili nga pikëpamja sociale dhe ekonomike është tërësisht i ndryshëm nga Rusia komuniste. Ne vazhdojmë ta mbajmë mend të kaluarën, mbi bazat e të cilës po përpiqemi të ecim me shpejtësi përpara”.
Medvedev premtoi mbledhjen e zyrtarëve, biznesmenëve, gazetarëve dhe figurave të tjera qëndrore të vendit, me të cilët mund të formojë një kabinet qeverisës, në rastin real të rokadës në krye të pushtetit, që do ta shndërronte atë në Kryeministër.
Presidenti aktual u shpreh se dëshiron të formojë një kabinet, i cili do të inkurajojë ndërveprim më të fortë midis të gjitha palëve të ndryshme të shoqërisë.
Presidenca e Putinit, në vitet 2000-08, përkoi me një rritje të madhe ekonomike dhe të influencës ruse në botë. Ai u detyrua të largohej nga vendi më i lartë në Kremlin, për shkak të ligjit që kufizon deri në dy mandate të njëpasnjëshme.
Top Channel