Korçë, sherr me thika, vritet 23-vjecari

17/10/2011 21:25

Nga një grindje mes 2 grupeve të rinjsh në Korçë, një person mbeti i vrarë dhe 2 të tjerë u plagosën.

Ngjarja ka nisur në një prej lokaleve të qytetit ku dy grupe të rinjsh janë konfliktuar për një kasetofon makine dhe më tej kanë dalë në një prej rrugëve qëndrore të qytetit ku janë përleshur.

Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal të Korçës 23 vjecari, Dorjan Kocaqi, i qëlluar me thikë, si dhe janë plagosur 2 vëllezërit Elton dhe Altin Beluli përkatësisht 20 dhe 23 vjeç.

Nikolin Kapurani është identifikuar nga policia si autori i vrasjes së 23 vjecarit dhe i plagosjes së 2 vëllezërve. Sipas të dhënave mësohet se 15 vjecari është një ndër përsonat e përfshirë në konfliktin e ndodhur pak ditë më parë në një prej lokaleve të Korçës, ku mbeti i plagosur edhe një efektiv i policisë.

Vetëm dy ditë më parë 15-vjeçari u lirua nga gjykata e Korcës e cila pas kërkesës së prokurorisë i dha masën e sigurimit personal detyrim paraqitje.

Një javë e mbushur me vrasje

Java që sapo kaloi tronditi opinionin publik në vend për një sërë krimesh të renda, duke lënë të kuptohet që rendi cënohet shpesh nga valë sporadike dhune, pavarësisht se shumë pak prej ngjarjeve kanë qenë me paramendim.

Eksplozivët, cka janë kthyer në një mjet terrori për të kryer kërcenime shoqëruan mëngjesin dhe mesnatën e së mërkurës në Bulqizë e Shkodër.

Një kambist i mbijetoi vdekjes pas një eksplozivi të telekomanduar në automjetin e tij, falë edhe ndihmës se shpejtë që iu dha. Automjeti shpërtheu në ecje e sipër duke futur në panik kalimtarët.

Ndërsa biznesi i kromit pati të tjera zhvillime në Bulqizë, por këtë radhë, duke kërcënuar familjen Durici të tërhiqet nga tregu. Për këtë u vu një sasi e madhe tritoli në derën e shtëpisë së saj.

Mesjava do të regjistronte ngjarjen më të rëndë. Konflikt i armatosur brenda në ambientet e gjykatës.

Gjashtë persona përfshihen në një konflikt me armë, edhe pse ndodheshin në ato zyra, ku kontrolli ndaj metaleve të cfarëdoshme, qoftë edhe celularëve praktikisht duhet të jetë më i rrepti.

Por salla ku zhvillohej gjyqi u mbush e gjitha me gjak në një proces gjyqësor që duhet të vendoste drejtësinë se kujt i takonte toka.

Në Tiranë, një 33-vjecar, edhe pse nuk i kishte dhënë gjysmat e parave të apartamentit pronarëve, i qëlloi të dy ata me pistoletë në zemër duke lënë njërin prej tyre të vdekur.

Në Berat dy grupe rivale shkëmbyen zjarr në rrugë sikur të ishin në sheshin e xhirimit të filmave western. Ngjarja vinte pas ekzekutimit të një 33-vjecari pranë një qendre interneti.

Në regjistrat e policisë janë regjistruar gjatë kësaj jave edhe ngjarje më të lehta, si grabitje të armatosura e plagosje të rënda, të cilat në total nuk janë në të njëjtën mendje me atë të drejtorit të përgjithshëm të policisë apo të ministrit të Brendshëm se, 2011-ta është një vit ku rendi dhe siguria nuk është cënuar asnjë sekondë. Viti po regjistron statistika edhe më të renda se ai i shkuari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA