F1, Vettel fiton sërish

16/10/2011 10:10

Titulli i dytë kampion nuk ia ka ulur aspak ritmin Sebastian Fetelit, i cili në garën e Koresë sërish ka arritur të fitojë duke çuar në dhjetë numrin e sukseseve sezonale.

Gjermani ka marrë vendin e parë që në fillimin e garës duke lënë pas Ljuis Hamilton dhe e mbajti atë deri në fund pa e diskutuar në asnjë moment. Në të njëjtën mënyrë edhe britaniku, i skuadrës McLaren ka arritur ta kalojë i dyti vijën e finishit pas një dueli të ashpër me pilotin tjetër të skuadrës Red Bull, Mark Veber i cili pavarësisht tentativave në disa raste nuk mundi të marrë vendin e dytë, duke mbyllur gjithçka në Kore me vendin e tretë.

Pas tyre një garë larg protagonistëve kanë zhvilluar piloti tjetër i McLaren-it Xhenson Baton dhe spanjolli i Ferrarit, Fernando Alonso i cili e kaloi finishin në vendin e pestë pa patur mundësinë për të bërë më mirë.

Në këtë mënyrë është mbyllur edhe gara e 16-të e këtij sezoni, ku skuadra Red Bull falë fitores së Sebastian Fetelit dhe vendit të tretë të Mark Veber arriti të shpallet edhe kampione për konstruktorë, duke i mbyllur objektivat 3 gara përpara fundit të sezonit.

Gara e radhës do të jetë Cmimi i Madh i Indisë më 30 tetor.

Top Channel