Gascoigne: Sekreti i suksesit, kokainë e alkool

15/10/2011 00:00

Një legjendë e futbollit anglez, Paul “Gazza” Gascoigne pranoi se thithte
rregullisht kokainë dhe konsumonte deri në nëntë teke uiski, përpara
një ndeshjeje.

44-vjeçari pretendon se diçka e tillë e bëntë të kthjellët dhe të fuqishëm në fushë, duke e ndihmuar që të shënonte disa prej golave që e bënë të paharrueshëm për të gjithë tifozët e tij.

Në një intervistë befasuese në një televizion britanik, ish-futbollisti i Njukasëll, Totenhem, Everton dhe Lacio, ndër të tjera, foli edhe për anën më të errët të jetës së tij, atëherë kur varësia nga droga e bëri që të ishte aq paranojak, sa që të besonte se mund të vdiste nëse do të pinte ujë.

”Përpara një ndeshje ishte normale që të ktheja nja 8-9 gota uiski, kokainë dhe ndonjë gjë tjetër. Pija alkool për të zbutur efektin e drogës dhe kështu arrija të pija deri katër shishe uiski në ditë. Më duheshin dy shishe vetëm për të më pushuar të dridhurat e drogës”.

Mesfushori ka hyrë në histori edhe për një rekord unik. Pasi piu dhjetë gota uiski përpara një ndeshjeje, ai shuajti etjen e 13 kriko birre, në përfundimin e saj.

Megjithatë, Gascoigne këmbëngul se tashmë është çliruar tërësisht nga varësia e drogës dhe alkoolit, duke vendosur jetën e tij në rrugë të mbarë për herë të parë pas shumë vitesh.

”Më pëlqen ta shijoj jetën dhe pasioni im më i ri është golfi. E di që jam një pijanec dhe nuk e cilësoj si një fjalë të keqe. Megjithatë, nuk duhet të kisha lejuar që alkooli të udhëhiqte jetën time në një pikë të caktuar. Tashmë kam ndryshuar dhe gjëra të mira po më ndodhin. Qëllimi im kryesor është që ta shijoj jetën sërish”.

Top Channel