Milan, vetëm fitore ndaj Palermos

14/10/2011 17:15

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, në prag të ndeshjes së vështirë me Palermon në Serinë A, theksoi se për skuadrën e tij nuk do të ketë më asnjë justifikim, nëse nuk do të jetë në gjendje të sigurojë fitoren.

Rikthimi i Robinho e Mexes kanë rritur optimizmin në radhët e kampionëve të Italisë, që kanë nisur në mënyrë zhgënjyese këtë sezon, pas humbjeve ndaj rivalëve direktë për titull të Napolit dhe Juventusit.

”Pushimi i ndeshjeve të kombëtareve na ka lejuar të punojmë shumë, të rikuperojmë futbollistë të rëndësishëm dhe energjitë e shpenzuara. Të gjithë e dimë se sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje ndaj Palermos, një skuadër që gjithmonë na ka vënë në vështirësi, por nuk ka asnjë alibi nëse nuk arrijmë të fitojmë”, thotë Allegri, i cili rikthehet edhe tek çështja Ibra-Cassano, pasi të dy sulmuesit pranuan se janë të lodhur nga futbolli dhe po mendojnë tërheqjen.

”Është e rëndësishme që fjalët e tyre të mos të nxirren nga konteksti. Në këto ditë, Zlatan ka bërë një punë shumë të mirë dhe po stërvitet me shumë dëshirë. Cassano është gjithashtu duke bërë një punë shumë të mirë, ndërsa gjendja e tij fizike është gjithmonë drejt përmirësimit”.

Ndërsa Milani përgatitet të presë Palermon, rivalët për titull të Interit do të sfidojnë një tjetër skuadër siçiliane, Katanian. Për zikaltërit mungon portieri Cesar, mbrojtësi Chivu dhe sulmusit Forlan e Coutinho.

”Më vjen keq për mungesat, por do të përdor të njëjtën skemë si gjithmonë”, u shpreh Ranieri. “Fusha e Katanias është shumë e vështirë dhe në vitet e fundit gjithmonë kemi humbur pikë atje, prandaj nuk është ky momenti për të bërë eksperimente me skemën. Kam besim të plotë tek futbollistët që do të luajnë në vend të të dëmtuarve”.

Top Channel