E ka drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë për më shumë se dy vite, por sot po përjeton një situatë të paqartë për të ardhmen.
Bëhet fjalë për trajnerin Josip Kuzhe, fillimi i aventurës të të cilit në krye të kuqezinjve daton më 20 maj 2009, kur zuri vendin e holandezit Ari Han. Humbja e turpshme 2-1 me Luksemburgun ka vënë në pikëpyetje rinovimin e kontratës, e cila skadon më 31 dhjetor 2011. Në mediat shqiptare ka filluar të përflitet për kandidatët, por vetëm Kuzhe, në dukje jo shumë i qetë, dëshiron të fitojë kohë për një përgjigje përfundimtare, ndaj zgjedh të heshtë për momentin.
Barazimi me Rumaninë nuk ka entuziazmuar shumë dhe me shumë gjasa do të jetë e fundit për të, edhe pse sipas kontratës ka të drejtën të jetë në timonin kuqezi edhe për miqësoret me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë. Pas dy netësh plot konfuzion në Tiranë, Kuzhe ka vendosur të kthehet dje pranë familjes, në Kroaci.
“Po shkoj në Zagreb te familja ime, do të qëndroj pak ditë dhe do të vij sërish javën e ardhshme”, rrëfen Kuzhe. Pikërisht atëherë do të duhet të diskutojë me drejtuesit e FSHF-së për të ardhmen e tij, e cila për momentin është në udhëkryq.
“Do të shohim, do të analizojmë gjendjen dhe më pas do të vendosim. Presidenti ka idetë e tij, unë kam idetë e mia, shprehet tekniku. Ka mundësi të largohem ose mund të ndodhë që edhe të qëndroj. Unë nuk dua të jap një deklaratë për këtë”. Zgjedh të heshtë, ndërsa në shtypin kroat flitet se vetë ai nuk dëshiron më të qëndrojë në Shqipëri. “Ka shumë mendime, sqaron Kuzhe. Sigurisht edhe FSHF e di se ç’duhet bërë. Ata do të marrin vendimin më të mirë nga ana profesionale. Federata do të shohë edhe mundësi të tjera, ashtu do të bëj edhe unë. Gjithsesi nuk mund të them që nuk dua të qëndroj, sepse kam kaluar shumë mirë në Shqipëri. Nëse puna ime do të analizohet si pozitive, mund të vazhdoj të jem me Kombëtaren. Çdo vendim që do të merret, do të jetë i përbashkët dhe me frymë miqësore”. Megjithatë këmbëngul për të mos e bërë të ditur dëshirën e tij, por thekson se paratë nuk janë parësore në vendimin që ai do të marrë: “Jo, nuk mund ta them këtë. Po flas hapur, unë kam nevojë për para, familja ime ka nevojë për para, unë po punoj për këtë. Por megjithatë paratë nuk janë shumë të rëndësishme për mua, sepse unë nuk kënaqem shumë duke shpenzuar para”.
Ndihet i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët, por duket se jo dhe aq me gjuhën shqipe, pasi askush s’e ka dëgjuar të thotë as edhe një fjalë: “Më vjen turp, më vjen turp. Nuk e di ç’ka ndodhur me mua, nuk kam një shpjegim për këtë. Por, misioni im nuk ka qenë të mësoj gjuhën shqipe”, ka përfunduar prononcimin e tij Josip Kuzhe.
Top Channel