Ndryshojnë rregullat për administratën

13/10/2011 08:35

Administrata publike, brenda vitit 2012 do të përfshihet në rregulla të reja rekrutimi, sipas standardeve të përcaktuara në VKM-në 474, miratuar në qershor nga qeveria.

Një ditë më parë, “Shqip” publikoi formatin e ri të administratës, ku drejtorive u caktohet një numër i caktuar shefash, kurse këtyre të fundit, numrin e stafit.

VKM-ja përmban edhe detyrimet që duhen respektuar për hartimin e strukturës dhe rekrutimin e punonjësve në administratën publike.

Rregullat janë bërë më të forta, ku jo pak ‘pushtet’ i është lënë Ministrisë së Financave, iniciatore e standardeve për disiplinimin e porcioneve të punës.

Ndryshimi i strukturës

Struktura organizative e institucioneve të administratës publike në nivel qendror ndryshohet në rastet kur ka pasur ndryshime të misionit të institucionit, janë shtuar apo pakësuar funksionet e institucionit, dhe si rrjedhojë e analizave të kryera rezulton se duhet të ketë një shpërndarje të ndryshme të burimeve të shtuara për kryerjen e funksioneve.

Për institucionet në fushën e ekzekutivit, ndryshimi i strukturës përgatitet për kryeministrin nga Departamenti i Administratës Publike, në bazë të propozimit të marrë nga ministri propozues, kurse në rastin e ndryshimit të strukturës së institucioneve të pavarura, Kuvendi kërkon mendimin e detyrueshëm të Departamentit të Administratës Publike dhe të Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave jep mendimin e saj të detyrueshëm për kostot financiare të propozimit përkatës, në rastet kur ndryshimi i strukturës shoqërohet me efekte financiare shtesë mbi buxhetin e miratuar ose edhe kur efektet shtesë mbulohen nga fondet e lira, në dispozicion të institucionit.

Argumentet e rekrutimit

Institucioni i cili propozon ndryshimin e strukturës, dërgon në Ddfepartamentin e Administratës Publike ose në Kuvend, në rastin e institucioneve të pavarura, të dhënat që lidhen me arsyet e hollësishme të nevojës për ndryshime, efektet financiare që shoqërojnë ndryshimet e kërkuara dhe përshkrimet e punës dhe kërkesat specifike për çdo pozicion pune të ri, të krijuar apo të prekur nga propozimi.

Argumentet duhet të jenë të forta dhe të analizuara qartë, sikurse duhet t‘u kërkohet edhe të paraqesin një raport për pasojat që mund të ketë ristrukturimi mbi nëpunësit e institucionit dhe shpenzimet e personelit, si dhe një parashikim për sistemimin e nëpunësve, pozicionet e të cilëve preken si pasojë e ristrukturimit.

DAP mund të kërkojë sqarime shtesë nga institucioni propozues për ndryshimin e strukturës ose mund të bëjë komente për propozimin, përpara se ta dërgojë për miratim te kryeministri.

Urdhri për miratimin e strukturës hyn në fuqi menjëherë, por fillon të prodhojë efektet financiare jo më vonë se 30 ditë nga data e hyrjes në fuqi, periudhë në të cilën duhet të përfundojnë të gjitha veprimet për sistemimin e punonjësve ekzistues në strukturën e re.

Shërbimi civil

Në rastin e pozicioneve të shërbimit civil në Kryeministri dhe aparatet e ministrive, vendimi për sistemimin e një nëpunësi në një pozicion tjetër apo kalimin e tij në listën e pritjes, merret bazuar në kriteret e përcaktuara në pikat 7-10 të Vendimit nr.360, datë 14.7.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për lirimin nga shërbimi civil”, dhe pas një procedimi administrativ individual, të kryer në përputhje me Kodin e Procedurës Administrative në Republikën e Shqipërisë për çdo nëpunës, pozicioni i të cilit preket nga ristrukturimi. Institucioni duhet të vendosë brenda 10 ditëve nga data e miratimit të ndryshimeve në strukturë nga kryeministri.

Top Channel