Kuzhe, e ardhmja në duart e Dukës

13/10/2011 00:00

Mbyllja e kualifikueseve të Euro 2012 ka rishfaqur pasiguritë e
zakonshme në stolin e Kombëtares shqiptare. Josip Kuzhe, ashtu si të
gjithë pranë ekipit kuqezi, opinioni dhe tifozët, pret të mësojë se cila
do të jetë e ardhmja e tij.

Pas barazimit 1-1 në “Qemal Stafa” me Rumaninë, trajneri kroat ka qëndruar edhe 24 orë në Tiranë, ndërsa sot është nisur drejt Zagrebit. Në vendlindje, 58-vjeçari do të presë takimin e radhës me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Të radhës, pasi situata nuk është aq në “ajër” sa trajneri ka lënë të nënkuptohet në ditët e kaluara. Në fakt, Kuzhe dhe presidenti i FSHF-së kanë diskutuar edhe më parë rreth së ardhmes, asaj që mund të ndodhë, bashkëpunimit apo lamtumirës. Trajneri zbuloi një pjesë të dilemave për vazhdimësinë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së të martës (“Do të shohim në do të më japin lule në miqësoren me Azerbajxhanin (më 11 nëntor) apo do të vijojmë bashkëpunimin”).

Në fakt, diskutime ka pasur, megjithatë analizimi i ecurisë së Kombëtares në Grupin D kualifikues të Euro 2012 do të vazhdojë. Kuqezinjtë e mbyllën edicionin si zakonisht në vendin e parafundit, ndërsa goditja më e madhe erdhi nga humbja me modestët e Luksemburgut. Rinovimi i skuadrës nuk u realizua, ndërsa nga eksperimentet e pakta të zhvilluara, Odise Roshi është talenti i vetëm që mund të thuhet me siguri se është fituar për të ardhmen. Por, vetëm një lojtar i ri, në një skuadër nga e cila largohen Beqaj, Skela, Lala e ndoshta edhe Bogdani e Duro, nuk mjafton. Ngritja në vazon e 4-t në shortin e Botërorit 2014 ishte një arritje fare e vogël, përballë objektivit që ishte lënia mbrapa e të paktën dy skuadrave në grup – detyrë që nuk u realizua. Pas bisedave fillestare me trajnerin, Duka do të marrë edhe një javë kohë përpara se të ndajë mendjen nëse do të emërojë një trajner të ri (sipas gjasave shqiptar), apo do të zgjedhë alternativën më pak të mundshme, pra t’ia besojë stolin Kuzhesë edhe për një edicion, këtë herë me kushte të ndryshme në kontratë. “Divorci” duket lëvizja më e mundshme, në një negociatë që tashmë i ngjan një fushe shahu. Kjo edhe për dilemën, nëse largimi i teknikut kroat do të jetë i menjëhershëm apo do të pritet deri në mbylljen e kontratës, që skadon më 31 dhjetor 2011. Zgjidhja e parë do të bënte që federata të shpenzonte para (duke paguar dy rrogat mujore të mbetura të trajnerit, me vlerë mbi 18 mijë euro), ndërsa qëndrimi i Kuzhesë do të shkaktonte vonesë në përgatitjet e edicionit të ardhshëm. Kjo për faktin se do të ishte e pakuptimtë që një trajner në ikje të drejtonte miqësoret me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë më 11 dhe 15 nëntor, ku do të hidhen themelet e ekipit të ri.

Kontrata është shndërruar në një çështje Duka-Kuzhe. Çdo pyetje, që u drejtohet zyrtarëve të FSHF-së rreth trajnerit të Kombëtares, nuk gjen asnjë përgjigje. “Tekniku ka kontratë deri në janar. Do të jetë presidenti Duka, ai që vendos për të ardhmen”, është përgjigjja standarde që jepet. Duka do të vazhdojë të shqyrtojë alternativat dhe të analizojë situatën aktuale dhe premisat e së ardhmes të Kombëtares. Ndërkohë, nga Zagrebi, Kuzhe do të presë telefonatën për negociatat finale, me vendimin për të ardhmen që sipas të gjitha gjasave do të merret javën e ardhshme

Top Channel