Turqi-Kroaci, Estoni-Irlandë, Republika Ceke-Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovinë-Portugali janë çiftet e play-off për Euro 2012 pas shorteut të zhvilluar të enjten në Krakovë të Polonisë.
Sipas koefiçentëve të UEFA-s, Kroacia, Portugalia, Republika e Irlandës dhe Republika Ceke ishin koka grupi në short dhe për këtë arsye do të luajnë ndeshjet e para në fushë kundërshtare dhe ndeshjet e kthimit në shtëpi.
Ndeshjet e para do të luhen më 11/12 nëntor ndërsa të kthimit më 15 nëntor.
Bosnje Hercegovinë- Portugali
Turqi – Kroaci
Estoni – Republika e Irlandës
Republica Ceke – Mali i Zi
Plejofi, reagimet e palëve
Edin Dzeko (sulmues i Bosnjes): “Nuk patëm fat në këtë short, por të paktën kemi mundësinë për t’u hakmarrë. Eliminimi nga portugezët në vitin 2010 i dëshpëroi shumë të gjithë boshnjakët, të cilët kërkojnë të marrin pjesë në një turne ndërkombëtar, për herë të parë në historinë e tyre si një shtet i pavarur”.
Paulo Bento (trajner i Portugalisë): “Nuk e pëlqej etiketimin si favorit. E dimë se në futboll gjithçka është e mundur dhe kemi shumë respekt për Bosnjen, e cila nuk ka mbërritur më kot deri këtu. Për t’u kualifikuar duhet të luajmë si në plejofin e Botërorit të Afrfikës së Jugut. Mendoj se Bosnja ishte skuadra më e fortë që mund të na binte dhe për këtë, mjafton të shikosh nivelin e tyre në ndeshjen që luajtën në Francë”.
Micheal Bilek (trajneri i Çekisë): “Të gjitha skuadrat në plejof kanë pikët e tyre të forta dhe të dobëta, kështu që nuk kisha prefenca. Mali i Zi e tregoi cilësinë e tij më së miri ndaj Anglisë. Nuk shënojnë shumë gola, çka është diçka befasuese kur sheh që kanë në sulm lojtarë si Mirko Vuçiniç, por jemi të paralajmëruar se çdo gabim mund të na kushtojë shtrenjtë. Avantazhi i vetëm është që e luajmë ndeshjen e dytë në shtëpi”.
Branko Brnoviç (trajner i Malit të Zi): “Përpara shortit shpresoja vetëm të shmangnim Portugalinë, kështu që jemi me fat. Megjithatë, Republika Çeke ka qenë dhe mbetet gjithmonë një prej skuadrave më të mira në Europë. Besoj se shanset janë 50-50 dhe nuk po e nënvlerësoj Çekinë. Ata janë një skuadër e madhe, por ne jemi rritur shumë së fundmi”.
Tarmo Ruutli (trajner i Estonisë): “Nuk mendoj se Irlanda ishte kundërshtari më i lehtë mes mundësive. Në plejof, asnjë skuadër s’ka asgjë për të treguar, sepse e ka dëshmuar që është e fortë. Mbase dy fitoret tona ndaj Irlandës së Veriut mund të na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë do të gjejmë në fushën e tyre. Të dy këto kombëtare luajnë me të njëjtin stil britanik. Megjithatë, për mua nuk ka dyshime se të dyja përfaqësueset kanë shanset e tyre”.
Giovanni Trapattoni (trajneri i Irlandës): “Është diçka shumë e rëndësishme që do të luajmë ndeshjen e parë jashtë. Gjithashtu, është e rëndësishme të mos i nënvlerësojmë kundërshtarët tanë, pasi ju siguroj se Estonia nuk ka mbërritur deri këtu kot. Ata kanë mbërritur deri këtu duke u treguar të gjithëve se sa i rëndësishëm është organizimi dhe loja kolektive. Do të jetë pikërisht këto dy cilësi që shpresoj që lojtarët e mi të tregojnë edhe në ditën e ndeshjes”.
Slaven Bilic (trajner i Kroacisë): “Kemi pritur momentin për t’u hakmarrë ndaj Turqisë për tre vjet. Për ne, ajo humbje në çerekfinalet e Europianit të fundit ishte shumë e dhimbshme. Pa dyshim, luajmë ndaj një kundërshtari të fortë, por besoj se kombëtarja ime është më e mirë. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë, pasi Turqia është pa dyshim, kundërshtari më i vështirë që mund të na kishte rënë”.
Oguz Çetin (ndihmëstrajner i Turqisë): “Luajmë ndaj një ekipi të fortë. E njohim Kroacinë që nga Europiani i fundit dhe stili i tyre i lojës i ngjashëm me tonin. Ata kanë një reputacuon të mirë në Europë dhe një stadium shumë të zjarrtë në Zagreb. Për këtë arsye, duhet të përgatisim sa më mirë ndeshjen e parë në fushën tonë. Duket një disavantazh që luajmë të parën brenda, por ne nuk e mendojmë kështu, pasi është e qartë që rezultati i takimit të parë do të jetë përcaktues”.
Top Channel