Adri Nurellari – Një ndër fatkeqësitë kombëtare që po u ndodh shqiptarëve është
mosnxjerrja e mësimeve nga përvojat e ndërsjella, por adaptimi në Kosovë
i përvojave më negative të Shqipërisë.

Në vend që të anashkalojë problemet që janë përjetuar ne Shqipëri, masakrimi që u është bërë dy zgjedhjeve të fundit tregojnë se Prishtina po ndjek pikërisht kalvarin e mundimshëm të tranzicionit politik të Tiranës. Jo vetëm që teknikat e manipulimit janë huazuar në Kosovë, por së fundmi po imitohet edhe ideja e një reforme zgjedhore si ajo e vitit 2008 në Shqipëri, që ka për qëllim çimentimin e pushtetit të elitës aktuale politike kosovare. Zgjedhjet e fundit qenë një tërmet për lidershipin aktual në Kosovë, i cili pavarësisht nga manipulimet e shumta, prapë qëndron në pushtet falë një koalicioni të brishtë e të çuditshëm laraman. Partia në pushtet gjendet sot e shantazhuar prej tekave të pseudo-partisë, ose më saktë kompanisë private të Pacollit, prej partisë së drejtësisë që do të dërrmojë laicitetin e Republikës së Kosovës, si dhe prej pranisë së domosdoshme të serbëve liberalë.

Në fakt, ndryshe nga sa shitet në publik, sistemet zgjedhore janë një pjesë thelbësore e konfigurimit institucional të një shteti e për rrjedhojë ndryshimi i sistemit përbën një ortek të mirëfilltë për institucionet e demokracisë. Këtu del në pah absurditeti i parë. I gjithë ligjërimi zyrtar qeveritar, si dhe rekomandimi i aktorëve ndërkombëtar, është i përqendruar pikërisht te ndërtimi dhe konsolidimi i institucioneve të shtetit të ri kosovar, ndërkohë që është duke u propozuar një ndryshim kushtetues, i cili e vë tërësisht në pikëpyetje të gjithë këtë proces institucionalizimi. Dihet mirë nga studiuesit e fushës se pas ndryshimit të formës së regjimit, pra republikë parlamentare, presidenciale apo monarki kushtetuese, sistemi zgjedhor është mbase elementi më determinues i institucioneve të një vendi. Sistemi zgjedhor është thelbësor në zhvillimin e sistemit partiak dhe partive politike. Për shembull, nëse është mazhoritar ka më pak parti e nëse është proporcional më shumë parti. Nëse ndryshohet sistemi zgjedhor ndryshohen tipat e koalicioneve qeverisëse; ndryshon kompozimi dhe veprimtaria e legjislativit; reformohet mënyra e zgjedhjes së zyrtarëve të lartë, drejtuesve të institucioneve të pavarura dhe mbarë administratës; transformohet mënyra e bërjes së politikave dhe reformave të qeverisë; rikonfigurohet organizimi i fushatave dhe proceseve zgjedhore; pëson një metamorfozë të mirëfilltë përmbajtja e debateve publike dhe kulturës politike në vend etj., etj., etj. Me pak fjalë ndryshimi i sistemit zgjedhor ka impakt të drejtpërdrejtë, dytësor apo të tërthortë në çdo institucion të demokracisë dhe aspekt të jetës politike të një vendi, pra është një ortek i mirëfilltë me pasoja kapilare, duke dëmtuar rëndë përpjekjet disavjeçare për konsolidimin e institucioneve kosovare duke i rikonfiguruar nga e para.

Absurditeti i dytë i Komisionit të Reformës Zgjedhore lidhet me mosbërjen e asnjë analize kritike ndaj sistemit zgjedhor aktual. Nuk ekziston një sistem zgjedhor i përkryer që mund të shërbejë si pilulë magjike për të shëruar çdo sëmundje e që mund të përdoret kudo, por ekziston vetëm përshtatshmëria e sistemit me realitetin ku aplikohet. Kurrkush nuk po bën një analizë në retrospektivë se çfarë ka shkuar keq me sistemin zgjedhor ekzistues dhe si ky sistem nuk i përmbush nevojat e shoqërisë kosovare për të motivuar pastaj ndryshimin e tij. Me thënë të drejtën sistemi aktual zgjedhor me disa ndryshime minimale është në fakt sistemi më i përshtatshëm për realitetin kosovar. Kjo tregon që ekziston një përpjekje për të justifikuar apo mbuluar shkelësit e vërtetë të demokracisë kosovare nëpërmjet mosadresimit të problemeve të hasura me shkeljet në zgjedhjet e kaluara dhe duke u përqendruar te një ndryshim radikal dhe i pajustifikuar i sistemit zgjedhor. Zgjedhjet e kaluara nuk kanë vuajtur nga sistemi, përkundrazi, nga moszbatimi i tij i plotë dhe nga shkeljet harbute që janë bërë gjatë procesit zgjedhor. Pra nuk mund të konsiderohet që një sistem aktual nuk funksionon në kushtet kur atij nuk i është dhënë mundësia të vihet siç duhet në jetë prej parregullsive të shumta që e kanë karakterizuar.

Këtu lidhet edhe absurditeti i tretë i kësaj reforme që kërkon gjurmët te sistemi kur ujkun e ka përballë e lidhet me administrimin e zgjedhjeve. Për sa kohë nuk zgjidhet aspekti i administrimit në përputhje me ligjin zgjedhjet kanë për të qenë katastrofë, cilido qoftë sistemi i ri zgjedhor që adaptohet. Konkretisht, nëse ka ndonjë gjë për të ndryshuar duhet padyshim që të rishikohet mënyra e numërimit duke adaptuar votimin elektronik, i cili automatizon procesin e numërimit duke e minimizuar mundësinë e manipulimit. Po ashtu mund të bëhet që numërimi të mos bëhet në çdo qendër votimi, por të grupohet në pak qendra votimi sikurse është bërë në Shqipëri me KZAZ-të duke mundësuar përqendrimin e burimeve në monitorimin e procesit.

Prandaj lind natyrshëm pyetja, kujt i intereson të ndryshojë sistemi zgjedhor? Mund të kuptohet që aktorë të caktuar politikë të kenë një interes të ngushtë personal për të sajuar një sistem që u leverdis elektoralikisht dhe për t’ia ngecur fajin sistemit për vjedhjet e zgjedhjeve që kanë bërë, por s’po kuptohet pse këtë reformë që trondit konsolidimin e institucioneve kosovare dhe instalon një oligarki politike po e mbështesin me zë të lartë eksponentë të shoqërisë civile të Kosovës, si dhe faktori ndërkombëtar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA