Galliani, pa fjalë nga “rebelimi” i Ibra-Cassano

12/10/2011 19:35

Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, ka mbetur pa fjalë nga deklaratat publike të dyshes sulmuese Ibrahimovic-Cassano, të cilët janë shprehur së fundmi “të lodhur” nga futbolli.

”Nuk jam i shqetësuar, por në të njëjtën kohë nuk jam as psikolog. Nuk kam fjalë për të komentuar, vetëm ju them ato që edhe lojtarët e thonë, që përkushtimi i tyre ndaj Milanit nuk vendoset në asnjë rrethanë në dyshim”, shprehet Galliani.

Javën e shkuar, Ibra ishte i pari që tronditi kuqezinjtë, duke thënë se nuk ka ndërmend të vazhdojë edhe për shumë kohë dhe se futbolli nuk e argëton më si dikur. Të martën, pas fitores së kombëtares italiane ndaj Irlandës së Veriut, Cassano deklaroi nga ana e tij se këto janë 3 vitet e tij të fundit në futboll.

”Kam folur me futbollistët dhe gjithçka duket se shkon mirë. Kam biseduar vazhdimisht me Ibrahimovic. Me pamundësinë për të luajtur në ndeshjen e fundit me Holandën për arsye kartonash, ai dëshironte të rikthehej sa më shpejt tek Milani. Folëm me Federatën Suedeze dhe nxorrëm një leje për ta sjellë në skuadër që diyën e hënë”.

Pavarësisht një nisje të dobët, Galliani nuk dëshiron të flasë as për krizë dhe as për probleme të brendshme. “E dinim që në javët e para do të kishim disa probleme, për shkak se përqendruam përgatitjet tona për Superkupën, por askush nuk mund të priste një numër kaq të madh dëmtimesh”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA