Fallxhoret që bëjnë pazar me fatin

12/10/2011 19:10

Ata janë kudo, një grua që sheh filxhan, një tjetër që të vjen në shtëpi me letrat tarot apo një hoxhë që di të shohë të ardhmen. Të gjithë pretendojnë se kanë një cilësi të jashtëzakonshme për të parë përtej në të ditët, muajt apo vitet e ardhshme.

Emisioni i Pasdites vendosi të hetojë në serinë e tij të së mërkurës mbi fenomenin e parashikimit të fatit, të cilin shumë shqiptarë e besojnë dhe e përdorin në jetën e tyre. Gazetarja Gerta Gixhari takoi të tre llojet e këtyre parashikuesve, që në më të shumtën e rasteve janë mashtrues.

Me një identitet të ri të shpikur në moment, gazetarja 28-vjeçare, e martuar dhe me fëmijë, u shndërrua në një vajzë të re, të quajtur Manjola dhe të sapondarë nga një lidhje 2-vjeçare.

E duke kaluar nga fallxhori në fallxhor, askush nuk zbuloi rengun e saj dhe të gjithë vazhduan t’i flasin rreth djalit që nuk ka ekzistuar kurrë me të vërtetë.

Ndërkohë, në studion e pasdites, aktorja Rita Lati, psikologu Genc Janaqi, aktorja Olta Gixhari dhe një prej fallxhoreve më të njohura të Tiranës, e quajtur thjesht “Sharlote”, depërtuan më në brendësi të këtij fenomeni me përhapje të gjerë në shoqërinë shqiptare.

Top Channel