Drejtuesit e institucioneve në Prishtinë presin që Komisioni Europian, përmes Raportit të Progresit, të vlerësojë punën që është bërë në Kosovë që nga raporti i para një viti.
Por, partitë politike opozitare kanë fajësuar qeverinë për ngecjet. Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke folur për punën e Kuvendit të Kosovës e cila pritet të pasqyrohet në progres-raportin që do të publikohet më 12 tetor, ka thënë se institucioni që ai drejton ka kryer punën sa i përket miratimit të ligjeve.
Zoti Krasniqi e bëri këtë deklaratë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku u vendos që seanca e ardhshme të mbahet të premten.
Po ashtu sipas tij, puna e Kuvendit në shumicën e rasteve është vlerësuar, megjithëse ka pasur vërejtje për mangësitë e ndryshme qoftë në administratë, apo në kontrollimin e institucioneve që i zgjedh Kuvendi.
Në anën tjetër, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar gjatë së hënës se përveç të arriturave që presin të paraqiten në këtë raport nuk do të mungojnë as ato, që ai i ka quajtur sfida.
Top Channel