
Federata amerikane e basketbollit, NBA ka anuluar dy javët e para të
sezonit e saj të rregullt, pasi pronarët e ekipeve dhe lojtarët dështuan
në arritjen e një marrëveshjeje mbi kontratat e reja.
Të gjitha ndeshjet e ligës së basketbollit nga 1 nëntori janë prekur nga ky vendim, ka bërë të ditur komisioneri i NBA, David Stern.
Lojtarët dhe pronarët e ekipeve nuk mundën të arrinin një marrëveshje mbi pjesën e të ardhurave që marrin lojtarët, 57% në bazë të marrëveshjes së skaduar, si dhe mbi strukturën e kufirit të rrogës.
Zoti Stern tha se dy palët as që iu afruan një marrëveshjeje mbi disa cështje.
“Pavarësisht përpjekjeve të shumta, ne nuk arritëm një marrëveshje të re me sindikatën e lojtarëve, që u lejon të 30 ekipeve të jenë në gjendje të garojnë për titullin kampion dhe lojtarëve të marrin kompensimin që u takon”, deklaroi zëvendëskomisioneri i NBA, Adam Silver.
Përfaqësues nga sindikata e lojtarëve dhe nga pronarët e ekipeve u takuan të hënën në bisedime që zgjatën plot shtatë orë.
Pas saj, David Stern i vlerësoi qëndrimet e dy palëve si “shumë, shumë të ndryshme”. Për momentin nuk janë planifikuar bisedime të tjera.
Top Channel