Kuzhe: Duam fitore me rumunët

11/10/2011 01:35

Kombëtarja shqiptare kërkon të mbyllë me fitore fazën eleminatore të Euro 2012, e cila do të përfundojë të martën me ndeshjen kundër Rumanisë në Tiranë.

“Ne, ashtu sikurse Rumania, do të jemi të motivuar në këtë përballje për të mbyllur eliminatoret me një rezultat pozitiv. Do të ishte dicka e mirë për ne nëse arrijmë në të njëjtën kuotë pikësh me skuadrën rumune. Për këtë arsye ne do të kërkojmë fitoren, edhe për të rritur optimizmin për të ardhmen”, deklaron trajneri Kuzhe.

Më pas Kuzhe bëri të ditur edhe formacionin që do të  aplikojë për sfidën me Rumaninë. Në portë do të jetë Ujkani, në mbrojtje do të luajnë, Dallku, Cana, Teli, Lila. Mesfusha do të përbëhet nga Lala, Lilaj, Roshi, Bakaj, ndërsa në sulm do të luajnë Salihi dhe Bogdani.

Në konferencë Kuzhe ka dalë në mbrojtje të portierit Ujkani, i cili ishte adresa e kritikave pas humbjes me Francën.

Ndërkohë, për ndeshjen me Rumaninë foli edhe kapiteni Altin Lala, i cili ishte në një linjë me trajnerin Kuzhe. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare theksoi se ka shumë rëndësi që skuadra jonë të mbyllë këtë edicion të eliminatoreve të Euro 2012 me një fitore ndaj Rumanisë.

Top Channel