Ish-komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladic është shtruar për
trajtim në spital, pas verifikimit të disa problemeve pneumonike.

Gjenerali Mlladic, 69 vjec, dukej se gëzonte gjendje të mirë shëndetësore kur u shfaq në gjyqin ndaj tij javën e kaluar në Hagë, ku përshëndeti me dorë edhe një mikun e tij.

Biografja e tij, Ljiljana Bulatovic deklaroi se të dhëna të mëtejshme mbi shëndetin e klientit të saj do të jepen më vonë nga spitali ku ai po mjekohet.

Zyra e shtypit pranë gjykatës së OKB-së për krimet e luftës ka refuzuar të japë detaje mbi gjendjen e ish-gjeneralit, i akuzuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit.

“Është raportuar në disa media se Mlladic është me pneumoni. Unë mund të konfirmoj se aktualisht ai po mjekohet, por nuk mund të zbuloj natyrën e mjekimit”, ka deklaruar zëdhënësi Nerma Jelacic.

Ditën e hënë, gazeta serbe “Kurir” njoftoi se ish-komandanti i trupave paraushtarake ndodhej në gjendje të rëndë për shkak të disa problemeve në veshka.

“Mlladic është në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë si pasojë e një krize në veshka. Avokati i tij është shumë i shqetësuar”, shkruante gazeta.

Mlladic u arrestua në muajin maj pas rreth 15 vitesh arrati. Ai po gjykohet në Hagë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid, të ushtruar ndaj popullsisë joserbe të Bosnjes.

Ish-gjenerali konsiderohet gjithashtu si përgjegjësi kryesor për masakrën e Srebrenicës, në vitin 1995, kur u vranë në mënyrë barbare rreth 8 mijë myslimanë të Bosnjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA