Video/ Goli i Kane në fund nuk mjafton, PSG merr çfarë i duhet në “Allianz Arena” dhe shkon në finalen e dytë radhazi në Champions
Kombëtarja shqiptare vazhdon përgatitjet në Durrës, ndërsa për sfidën me Rumaninë, trajneri Kuzhe do të ketë në dispozicion edhe sulmuesin Erjon Bogdani, i cili do të rikthehet i gatshëm pas pezullimit për shkak të kartonit të kuq ndaj Luksemburgut.
Në Francë nuk ishte i pranishëm, por e ka parë me qetësi, ndaj edhe bën komentin e tij mbi humbjen 3-0.
“Ajo me Francën ishte një ndeshje shumë e vështirë, ku dhe ekipi ynë dukej shumë në vështirësi për të dalë në lojën e tij”, analizon sulmuesi kuqezi.
“Megjithatë, ne duhet t’i shohim gjërat pozitivisht dhe kjo humbje duhet të na japë shpresa që ndaj Rumanisë të luajmë për fitore”, shton qendërsulmuesi.
Momenti që po kalon Kombëtarja është i vështirë dhe Bogdani për këtë është i vetëdishëm: “Sigurisht që situata nuk është ndër më të mirat, por unë jam i bindur se ne si skuadër nuk jemi nga ato që të meritojnë 8 pikë në renditje.
“Ne nuk jemi një ekip që të kemi 8 pikë në tabelën e klasifikimit, megjithatë është kjo ndeshja e fundit, me Rumaninë. Unë them që të luajmë sa më mirë. Është një ndeshje që luajmë përpara publikut tonë dhe pas 3 humbjeve, siç janë 2 me Francën dhe 1 me Luksemburgun, duhet të luajmë sa më mirë dhe të përqendruar në Tiranë që ta fitojmë këtë ndeshje”, tha sulmues i kombëtares.
Kundërshtari, i dalë tashmë jashtë objektivave në Tiranë, do të vijë me shumë lojtarë të rinj. Por, Bogdani nuk e shikon si favorizues këtë fakt: “Nuk mendoj se është avantazh që ata do të vijnë të luajnë me të rinjtë, sepse ata kanë eksperiencë dhe lojtarë shumë të fortë. Mendoj gjithashtu se as ne nuk e kemi luksin që të luajmë me të rinjtë. Gjykoj se duhet të zbresim në fushë për ta fituar ndeshjen. Shpresoj shumë që të bëj diçka të mirë në këtë ndeshje dhe kam besim se edhe me rikthimin e Lalës dhe të Telit do të mund të ndryshojmë disa gjëra. Kështu shpresoj të paktën.”
Dallku: Të mbyllim me nder eliminatoret
Shqipëria kërkon të bëjë një mbyllje sa më të mirë të eliminatoreve të Euro 2012 dhe ndaj Rumanisë në “Qemal Stafa” do të kërkojë fitoren.
Por, sfida e së martës do të jetë edhe një mundësi shumë e mirë për revansh për atë humbje të turpshme 6-1 në kohën kur kuqezinjtë drejtoheshin nga trajneri Oto Bariç. Kështu mendon mbrojtësi kuqezi, Armend Dallku.
“Besoj dhe shpresoj që të gjithë të jemi të karikuar ku ndeshjen 6-1 e kemi në kujtesë. Do të kemi edhe futbollistët që na munguan në atë ndeshje. Kështu që shpresoj dhe besoj, me përkrahjen e tifozëve, ta mbyllim këtë eliminatore me një fitore”, tha Dallku në konferencën për shtyp.
Në ndeshjen ndaj Francës, ku kuqezinjtë u mundën 3-0, kosovari ishte protagonist me një gjysmë-autogoli, por ai vetë shprehet se, “çdo humbje është e hidhur, por të themi të vërtetën, që para ndeshjes kishim shumë pak shpresa. Kishte dy elementë që na dënuan; na mungonin shumë lojtarë, pra luajtëm me disa debutues, dhe kishim përballë një kundërshtar shumë të fuqishëm. Nuk është çudi. Na vjen keq për mënyrën si pësuam golat, megjithatë duhet të vazhdojmë përpara, duhet të shohim përpara”, theksoi mbrojtësi i Vorskla Poltavës.
Megjithatë, ai është i bindur se ndaj Rumanisë skuadra do të mund të bëjë kthesën e shumëpritur nga të gjithë. Një fitore të martën do vlente edhe për të kënaqur tifozët.
Top Channel