Barcelona, klubi më popullor në Spanjë

10/10/2011 16:15

Barcelona është shndërruar në klubin më popullor në Spanjë dhe lë pas me 7% në preferencat e përgjithshme Realin e Madridit, treguan rezultatet e një ankete të publikuar të hënën.

E përditshmja sportive “AS” kreu një anketë, duke pyetur disa dhjetëra mijëra përdorues të faqes së saj në internet për tre ekipet e tyre të preferuara dhe tre skuadrat që kanë më shumë antipati.

44% e të gjithë votuesve renditën Barcelonën midis një prej tre skuadrave të tyre të parapëlqyera, 37% Realin, 18% Valencian dhe Atletiko Madridin dhe 17% Bilbaon.

Përveçse katalanasit janë klubi i preferuar për më shumë spanjollë se sa Reali, këta të fundit ngjallin më tepër antipati midis tifozëve të skuadrave të treta se sa Barcelona. 51% e spanjollëve e kanë “alergji” fanelën e bardhë të madrilenëve, ndërsa vetëm 40% nuk e honepsin dot Barçën. Sevilja dhe Atletiko, me 30% dhe 29%, janë klubet e tjera më antipatike.

Në një studim të ngjashëm të kryer katër vjet më parë, ishte Reali i Madridit klubi që kishte rezultuar më popullori në Spanjë. Përsa i përket tifozerive të dy gjigantëve spanjollë, ata të Barcelonës duken më tolerantë. Ndërsa 97% e madrilenëve e cilësuan kampionen e Europës në fuqi si skuadrën më të urryer, këtë status ia dhanë Realit vetëm 77% e katalanasve.

Top Channel