Që prej përfundimit të luftës së fundit, Mali i Zi ka hyrë për disa kilometra në territorin e Kosovës.
Zeqir Dreshaj 80 vjeçar nga fshati Kuqishtë e komunës së Pejës, në brezin kufitar me Malin e Zi, prej disa vitesh nuk ka mundur të shfrytëzojë kullotat dhe pyjet e tij, ngjashëm sikurse shumë banorë të kësaj ane.
Banorët e fshatrave piktoreske, të Rugovës thonë se problemet me shtetin malazez kanë qenë të shumta, pasi që prej pasluftës kanë hyrë në territorin e Kosovës përrreth 5 kilometra, mbase edhe më shumë sipas tyre.
“Kemi arrestime nga ana e Malit të Zi të banorëve të Shtankajve, Bogajve. Së paku 5-6 arrestime bëhen brenda vitit. Arrestohen meqë sipas tyre është kufi i Malit të Zi, dhe nuk është pronë e jona”, thotë Rrustem Selimaj, banor i fshatit Haxhosaj në Pejë.
“Vazhdimisht kalojnë kufirin, dalin në territor tonin edhe pretendojnë që janë tyret, megjithëse ato ne i kemi edhe në kadastër, edhe në të gjitha dokumentet e tjera”, thotë një banor i fshatit Stankaj.
Që nga shpallja e pavarësisë para tre vitesh, deri më tani Kosova ka realizuar demarkacionin vetëm me Maqedoninë, e tashmë pritet edhe me Malin e Zi.
Përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës pritet të bëhet brenda këtij viti, e më së largu në fillim të vitit 2012, meqë sipas tyre kjo gjë tashmë ka filluar.
Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, tregon për Top Channel se janë marrë vesh me shtetin malazez që kufiri i vitit 1974 të jetë kufi ndërshtetëror, ndërsa në rast se ndonjë pronë mbeti jashtë territorit të Kosovës, atëherë pronarët e tyre do të mund ta shfrytëzojnë atë.
“Pretendimet edhe të Qeverisë së Kosovës, por edhe të Malit të Zi janë që kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme. Jemi marrë vesh që kufiri administrativ që ka qenë më 1974 të mbetet edhe kufi ndërshtetëror. Pakënaqësi ka edhe këtu. Unë kam thënë që ne nuk mundemi me i korrigju kufijtë historikë që kanë qenë në të kaluarën, të cilët kanë lëvizë, pak në territor të Kosovës ose të Malit të Zi. Mirëpo si bazë ne e kemi marrë 1974-n”, thotë ministri Rexhepi.
Por, për këtë nuk pajtohen banorët, meqë sipas tyre atëkohë nuk janë pyetur ata dhe se pronat e tyre janë përtej kufirit të 1974-s, deri në Qafë të Qakorrit.
“Atëherë qeverisjen në Pejë ka qenë kryetar një malazez, dmth kanë qenë të përbashkëta, dhe ata e kanë vendosur kufirin ku kanë dashur ata, e jo rugovasit. Për atë rugovasit kërkojnë nga qeveria që të vijë këtu që të konsultohen me ne, dhe bashkërisht të caktojmëvijë kufitare, pastaj të merremi me cështjen e demarkacionit”, thotë një banor i Rugovës.
Sidoqoftë, banorët thonë se do të protestojnë nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh kur Kosova dhe Mali i Zi të shënojnë vijën kufitare.
Top Channel