Paralajmërimet e shumta për njohje të reja të Republikës së Kosovës, të
bëra kryesisht nga zyra e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, duket
se nuk po gjejnë konfirmim.

Zyra në fjalë njoftoi më 12 shtator njohjen e Kosovës nga Nigeria dhe pak kohë më vonë njohjen nga shteti tjetër afrikan, Gaboni.

Por, pavarësisht se kanë kaluar disa javë, zyrtarizimi i njohjeve nga këto dy vende nuk ka ardhur ende, gjë që vë në dyshim efikasitetin e lobimit të Pacollit në Afrikë.

Paralajmërime për njohje janë bërë edhe nga ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili zhvilloi një seri takimesh në Nju Jork, por gjithcka ka mbetur në nivel informal.

Opozita kosovare i vlerëson këto deklarata si joserioze dhe si një tregues i mungesës së koordinimit në politikën e jashtme.

Ajo akuzon eksponentët e qeverisë për një garë mes tyre se kush të japë i pari lajmin për njohjet e pavarësisë.

“Paralajmërimi i njohjeve dhe më pas moszyrtarizimi i tyre është dicka joserioze. Nuk duhet të ketë garë se kush e jep i pari lajmin në radhët e qeverisë”, deklaroi pak kohë më parë deputeti i LDK, Ismet Beqiri.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se, njohjet nuk duhet të jenë prioritet, pasi aktualisht ka probleme të tjera më të mëdha.

Akuzat në fjalë hidhen poshtë nga ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili thotë se mes bartësve të politikës së jashtme ka pajtueshmëri.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 e deri më sot, Republika e Kosovës është njohur zyrtarisht nga 81 shtete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA