Njeri i egër në Gjermani, jeton në pyll

08/10/2011 16:05

Një çift pleqsh kanë befasuar Gjermaninë, duke deklaruar në polici se nipi i tyre 17-vjeçar jeton prej pesë vitesh në pyje.

I përshtatur tërësisht me mjedisin pyjor, në kushte jonjerëzore dhe i zhveshur, i riu krijoi panik kur u pa nga disa pushues në një rajon të gjelbërt pranë Berlinit.

Pasi një gazetë gjermane raportoi për këtë ngjarje, dy pleq kontaktuan policinë dhe do të japin kodin e tyre gjenetik, për të provuar nëse është me të vërtetë nipi i tyre ose jo.

Policia dhe punonjësit socialë vendosën fillimisht në dyshim serioz vërtetësinë e kësaj ngjarjeje, por versioni i gjyshërve duket se konfirmon gjithçka.

Sipas tyre, nipi nisi të jetonte në pyll në një çadër së bashku me babain, që pas vdekjes së nënës së tij disa vjet më parë. Pak kohë më vonë, edhe babai ndërroi jetë dhe ai e varrosi mes pemëve në pyll.

Që prej atëherë ka humbur të gjitha gjurmët me familjarët e tjerë dhe prej vitesh, 17-vjeçari endet nëpër pyje duke mbijetuar si një njeri i egër. Gjyshërit pretendojnë se nuk e kishin denoncuar deri tani ngjarjen sepse e kishin interpretuar jetesën e tij në këto kushte çnjerëzore si një zgjedhje personale jete.

Top Channel