Të vërtetat e Withers përballë pushtetit të gënjeshtrës

07/10/2011 00:00

Andrea Stefani – Nga përtej Atlantikut, i çliruar nga etika dhe ndrydhjet e arsyeshme që
dikton diplomacia, John Withers, ish-ambasador i SHBA në Tiranë, ka
folur publikisht për disa të vërteta që, deri në momentet e publikimeve
nga “Wikileaks”, kishin mbetur të mbyllura në kabllograme të rezervuara.

Janë të vërteta shpërthyese dhe për këtë, mjaft “trazuese dhe të sikletshme” për politikën shqiptare dhe në radhë të parë për qeverinë “Berisha”. Prandaj dhe kjo e fundit u hodh në ofensivë për t’i paraqitur këto të vërteta të hidhura për të, si gënjeshtra duke hedhur kështu baltë jo vetëm mbi Uidhers, por edhe mbi krejt diplomacinë amerikane. Dhe tashmë është Uidhers që kundërsulmon me të vërtetat, por edhe me alarmet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët.

* * *

Në fillim, Berisha tha se kabllogramet ishin një “valixhe thashethemesh”. Më pas i etiketoi pasqyrë e mangët e shtypit vendas. Më pas tha se nuk i kish lexuar fare kabllogramet. Po kur s’i kish lexuar nga e dinte që ishin një “Valixhe thashethemesh”? Kuptohet që Berisha po gënjente në çdo fjalë i detyruar nga të vërtetat e sikletshme të kabllogrameve. Nga ana e tij, ministri Olldashi dha të kuptohet se ato që thuheshin në kabllogram për kriminalizimin e Olldashit, ishin falsifikime të Asanzhit! Por gënjeshtra që lëshoi ish-shefi i shtabit të ushtrisë, Luan Hoxha, ishte më e rëndë, më fyese, më antiamerikane. I ndodhur në buzë të humnerës për shkak të skandalit të Gërdecit dhe i shantazhuar nga pushteti, gjenerali deklaroi se nuk i kish thënë asgjë ambasadorit Withers për përfshirjen e Shkëlzen Berishës, djalit të Kryeministrit, në aferën e përgjakshme të Gërdecit. Që do të thoshte se një ambasador amerikan sajonte dhe shpifte, që ambasada sajonte dhe shpifte. Është e habitshme sesi disa gazetarë afër pushtetit, që pak kohë më parë nxituan të shpallin antiamerikanë ca kolegë të tyre kritikë të pushtetit, nuk u shqetësuan fare për këtë baltosje që i bëhej diplomacisë amerikane! Dhe si për ironi, pikërisht dikush nga këta gazetarë “antiamerikanë” denoncoi faktin që një pushtet i korruptuar përpiqej të shpëtonte duke shpallur gënjeshtar ambasadorin Uidhers dhe kërkoi që ky i fundit të përgjigjej.  Fatmirësisht Withers iu përgjigj me një letër të hapur për të vërtetat e mbyllura që pushteti i gënjeshtrës kërkon t’i paraqesë si gënjeshtra. Janë të vërteta dhe alarme që, në fakt, i kemi thënë dhe po i përsërisim prej vitesh. Por të përsëritura vendosmërisht nga Withers forcon besimin se SHBA do të jetë në anën e së vërtetës. Dhe kjo është e një rëndësie themelore për Shqipërinë e sepse mbi të vërtetën ngrihet drejtësia dhe mbi drejtësinë liria e demokracia. Dy ditë më parë, bashkë me të gjithë zërat kritikë vendas, madje edhe me ata që tentuan të shpallen “antiamerikanë” me një gjakim tipik për një gjueti shtrigash, Uidhers përsëriti se “zgjedhjet janë të dyshimta”, se “autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe median”, se “besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit”, se “korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik, se “përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit”, se “parimet universale të demokracisë vazhdojnë të lihen mënjanë dhe demokracia bën prapa”. Këto janë alarmet e Uidhers dhe të gjithë kritikëve të qeverisë që aspirojnë një shtet të së drejtës dhe integrim të Shqipërisë me botën e lirë.


* * *

Por çdo të ndodhë pas kësaj? Çdo të bëhet me këto të vërteta të hidhura, me këto alarme. Kush shpreson se pushteti berishist mund të heqë dorë nga kapja e institucioneve, është naiv i mjerë. Tashmë kapja e institucioneve të së drejtës, është imperativ për një pushtet që kërkon t’i bishtnojë së drejtës. Dhe kjo arrihet vetëm me sundim. Prandaj është ora e fundit, momenti i fundit, shansi i fundit për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Ose do të triumfojë e vërteta dhe gënjeshtra dhe krimi do ndëshkohen, ose shqiptarët do përfundojnë edhe një herë nën sundimin e gënjeshtrës dhe krimit. Rrugë të mesme nuk ka. Konsensus mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, mes krimit dhe drejtësisë nuk mund të ketë konsensus.

Po ç’duhet bërë? Është urdhërore por, mbi të gjitha, është kushtetuese që prokuroria të fillojë hetimin për dyshimet dhe akuzat e zbardhura në kabllograme. Për këdo. Pavarësisht krahëve politikë. Dhe si përherë në këto raste hetimi duhet të nisë nga maja, nga vetë Kryeministri. Kështu veprohet në të gjithë ato shtete ku askush nuk është mbi ligjin. Sepse do qe e pafalshme për një vend, për një publik që të injorojë si shpifje të rëndomtë, raportimin prej një ambasadori Departamentit të Shtetit të SHBA, se djali i Kryeministrit ka gisht në aferën tragjike të Gërdecit. Mjaft më me deklarime gjeneralësh të trembur. Mjaft më me avokatinë e lodhur që Kryeministri i bën vetes dhe të vetëve. Është plotësisht e ndershme, e ligjshme dhe pa i hyrë në hak kurrkujt që prokuroria të kërkojë zbardhjen e tabulateve të djalit të Kryeministrit. Është qesharake që duke pasur një mundësi të tillë, të tentosh ta gjesh të vërtetën tek ato që thotë Kryeministri. Apo edhe një gjeneral i trembur nga Kryeministri dhe një shtet pa drejtësi. Kjo është ana penale e problemit. Por mbetet edhe rrafshi politik që është jo më pak i rëndësishëm. Dhe ndërsa përfshirja në krim duhet vërtetuar, autokratizmi që denoncon Uidhers është me brirë. Prej vitesh. Madje që nga koha kur Berisha u ngjit për herë të parë në pushtet, ngjitje që përfundoi me kolapsin e shtetit në vitin 1997. Sot jemi thuajse para një situate të tillë. Kemi përsëri autokratin Berisha në pushtet të kritikuar për autokratizëm jo nga amerikani Timothi Uirth, por nga amerikani John Withers. Deri kur do vazhdojmë të ushqejmë iluzionin se mund të ndërtohet një sistem me liri e drejtësi në bashkëpunim me një autokrat të thekur?

Gazeta “Shqip”

Top Channel