Një grup piratësh informatikë kanë depërtuar në faqen zyrtare të internetit të misionit EULEX.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, hakersat kanë vendosur në këtë website një mesazh, si dhe një flamur të Serbisë.

Zëdhënësi i misionit evropian, Blerim Krasniqi ka deklaruar se në mesazh pretendohej se, EULEX po favorizon shqiptarët.

EULEX nuk ka kryer ndonjë ndërhyrje të fortë në veri të Kosovës që të tregojë mbështetjen e shqiptarëve, por pavarësisht kësaj pala serbe pretendon se gjithë faktori ndërkombëtar po mbështet Prishtinën në këtë cështje.

E vetmja ndërhyrje ka qenë ajo e trupave të KFOR-it në vendin e quajtur Qeshmellug, pas një sulmi agresiv me armë zjarri të serbëve.

Beogradi zyrtar reagoi i irituar ndaj qëndrimit të KFOR-it, duke kërkuar hetim ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara mbi ngjarjen.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi disa ditë më vonë se ushtarët e KFOR-it kishin reaguar vetëm për vetëmbrojtje.

Vetë EULEX deklaroi disa ditë më parë përmes zëdhënësit të tij Nicholas Hawton, se prokurorët e misionit do të hetojnë ngjarjen në fjalë, pranë pikës së kalimit të Jarinjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA