Milan, Galliani dhe Ibra sqarohen

07/10/2011 14:05

Adriano Galliani ka biseduar në telefon me Zlatan Ibrahimovic dhe ka hequr të gjitha dyshimet që kishin mbuluar Milanin pas intervistës së sulmuesit suedez ku ai u shpreh se ishte tashmë i lodhur nga futbolli.

Administratori i deleguar i Milanit tregon bisedën duke qetësuar tifozët kuqezinj: “Zlatan është shumë i qetë dhe qeshëm me mënyrat se si është interpretuar intervista e tij. Nuk ka asnjë krizë në marrëdhënien e klubit me Ibrahimovic.”

“Jam i sigurtë se kur të kthehet pas ndeshjeve të kombëtareve, Ibra do t’i futet punës me grintë që gjithmonë e ka karakterizuar. Do jetë ai që do të karikojë Milanin”, shtoi Galliani.

Zlatan Ibrahimovic ishte shprehur se futbolli nuk e tërhiqte më si më parë dhe se nuk do të luante edhe për shumë vite.

”Futbolli nuk më apasionon më si më përpara. Kur isha i ri, gjithçka në jetën time rrotullohej rreth topit, ndërsa tani ndihem i lodhur. Të jeni të sigurt që nuk do të më shihni ende duke rendur pas topit me flokët me thinja”, tha Ibrahimovic.

”Do të vazhdoj të luaj edhe pak, por nuk kam ndërmend të vazhdoj me vite të tëra. Megjithatë, nuk mund të mohoj që jam plakur. Nëse i ri kisha probleme fizike, gjithsesi arrija të godisja portën nga një distancë prej 40 metrash, ndërsa tani, këtë nuk mund t’a bëj dot më”, shtoi sulmuesi suedez.

”Më vjen keq t’a pranoj, por nuk kam më grintën që kam patur më parë dhe argëtohem më pak se në vitet e shkuara duke luajtur. Sot gjithçka është shndërruar në rutinë mua. Kam vendosur të tërhiqem atëherë kur do të jem ende në nivele të larta”, pati deklaruar Ibrahimovic.

Top Channel