Komandanti i trupave të KFOR-it, Erhard Drews, në konferencën e parë për shtyp, ka deklaruar se cështja e veriut duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.
Megjithatë, gjenerali gjerman nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes së trupave të KFOR-it.
“Në ditët e ardshme KFOR-i do të bëjë stërvitje për t’u përgatitur për heqjen e mundshme të barrikadave”, ka deklaruar Drews.
Komandanti nuk ka dhënë një afat të caktuar se kur mund të hiqen barrikadat, duke thënë se KFOR do të presë që serbët t’i heqin vetë ato.
“Gjithashtu, do të presim nëse lëvizja e tyre do të bëhet si rezultat i dialogut mes palëve”, ka nënvizuar Drews.
Drews u kthye në Prishtinë pas një vizite disaditore në Bruksel, ku mori sugjerime nga krerët e NATO-s mbi mënyrën e reagimit në veri të Kosovës.
Duke iu referuar situatës në këtë zonë të shtetit të ri, kryetari i Parlamentit të NATO-s, Karl Lamers deklaroi të premten se Aleanca duhet t’i rishikojë me vëmendje planet për reduktimin e trupave në Kosovë.
Situata në veri në ditët e fundit ka qenë e qetë, por sot ajo u tensionua nga djegia e një makine dhe nga vendosja e barrikadave serbe në lagjen Kroi i Vitakut.
Top Channel