Kaka’: Do të rikthehem si më parë

07/10/2011 11:45

Kaka’ u shpreh në një intervistë për televizionin zyrtar të Real Madrid se do të jetë një “lojtar i rëndësishëm për klubin madrilen”.

“Besoj se do të triumfoj tek Real. Ndihem shumë i lumtur tek ky klub dhe dua të jem përcaktues sërish”, theksoi braziliani për RealmadridTV.

Ish-futbollisti i Milanit foli edhe për problemet fizike të sezonit të kaluar: “Nuk isha në formë fizikisht dhe gjërat nuk shkonin siç doja. Në fushë ndihesha si një robot. Gjithçka që bëja ishte shumë e parashikueshme dhe mekanike.”

Kaka’ u shpreh mirënjohës ndaj presidentit dhe trajnerit të klubit madrilen: “Perez dhe Mourinho më kanë ndihmuar duke më dhënë besim të plotë. Jam borxhli ndaj tyre. Mourinho shumë mirë mund të më kishte braktisur, por më ndihmoi. Kur presidenti më pyeti se çfarë problemi kisha, u përgjigja se problemi isha unë.”

Top Channel