Raportet mës Shqipërisë dhe Maqedonisë mund të acarohen pas njoftimit se Ministria e Jashtme maqedonase do ta ftojë në bisedë të hënën ambasadorin shqiptar në Shkup, Arben Cejku.
Thirrja është bërë për të sqaruar deklaratat e tij të fundit kundër Enciklopedisë Maqedonase dhe teksteve shkollore që ofendojnë shqiptarët.
Në një reagim me shkrim të Ministrisë së Jashtme maqedonase thuhet se deklaratat e ambasadorit janë në kundërshtim të plotë me frymën e bashkëpunimit dhe dialogut miqësor midis Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Që nga fillimi i vitit shkollor në Maqedoni, diplomati shqiptar në Shkup, disa herë ka reaguar kundër teksteve fyese ndaj shqiptarëve dhe situatën e rëndë në arsimin shqip në Maqedoni.
“Këto tekste provokuese, që janë edhe në shqip, provokojnë emocionet etnike dhe deformojnë të vërteta historike. Më vjen keq që ka ende autorë që shkruajnë të tilla tekste. Këto lloj tekstesh duhet të marrin fund”, deklaroi rreth dy javë më parë ambasadori Cejku.
Ndërkohë, në mbështetje të ambasadorit Arben Cejku ka dal Shoqata e Historianëve Shqiptarë me seli në Shkup. Kjo shoqatë ka vlerësuar lartë interesimin që Cejku ka treguar gjatë gjithë kohës për shqiptarët e Maqedonisë.
“Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni e mbështet fuqishëm deklaratën e ambasadorit shqiptar dhe e sheh atë si mbështetje dhe reagim ndaj të pavërtetave dhe fyerjeve që i bëhen popullit shqiptar”, ka deklaruar përfaqësuesi i SHHSH, Skënder Hasani.
Ambasadori Cejku nuk është diplomati i parë i cili është vënë në qendër të kritikave nga autoritetet dhe oponioni maqedonas.
Muaj më parë, Risto Nikovski, këshilltari i presidentit Gjorgje Ivanov, ka kërkuar që të dëbohen nga vendi ambasadorët e atëherëshëm të BE-së dhe SHBA-vë, Ervan Fuere dhe Philip Reeker.
Top Channel