Për herë të parë për cështjen e varrezave të automjeteve, kryeministri është shprehur në maj të vitit të kaluar.
Gjatë mbledhjes së task forces për vlerësimin e problematikave mjedisore, kryeministri u shpreh, sic konfirmon edhe faqja zyrtare e kryeministrisë, se cdo varrezë e licencuar do të zhvendoset 5 kilometër larg rrugëve nacionale apo rajonale. Pas kësaj deklarate kjo cështje mbeti në heshtje për më shumë se 1 vit, deri në fillim të shtatorit të këtij viti, kur qeveria papritur ju rikthye sërish problemit të varrezave.
Në datën 7 shtator në mbledhjen e qeverisë u miratua, një akt i shpejt normativ, i cili kërkonte zhvendosjen urgjente të varrezave për automjetet e dala jashtë përdorimit, por këtë herë projekti i qeverisë kishte ndryshuar dhe distanca nga rrugët nuk ishte më 5 kilometër, por më e vogël.
Një javë pas miratimit të aktit normativ, më saktësisht në datën 13 shtator, kryeministri pret në zyrën e tij Rafael Bart, drejtorin ekzekutiv të kompanisë gjermane Sholz, e cila në Xhafëzotaj të Durrësit ka ndërtuar një fabrikë të fuqishme për riciklimin e skrapit edhe nga automjete të përdorura. Takimi konfirmohet edhe nga faqja zyrtare e vetë qeverisë. Dy javë më vonë qeveria dërgon në parlament për votim, fillimisht në komisione e më pas në seancë plenare ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, varianti fillestar i të cilit ishte përgatitur që një vit më pare, në shtator të 2010-ës.
Ligji që në themel të tij i hap rrugën në heshtje importit të automjeteve në fund të jetës, me qëllim riciklimin e tyre në Shqipëri, deri më sot e ndaluar, u kundërshtua fort nga opozita e cila akuzoi për aferë. Por pse ligji shkaktoi debat? Dyshimet lidhen pikërish me kompaninë Sholz dhe kapacitetin përpunues të fabrikës që ajo ka në Xhafëzotaj. Kjo kompani, e cila ka mbërritur në Shqipëri para disa vitesh, u regjistrua si biznes shqiptar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në vitin 2008.
Menjëherë pas kësaj filloi ndërtimin e fabrikës gjigante, që do të riciklonte skrap dhe mbetje të tjera të ngurta. Pas përfundimit të fabrikës, në mars të këtij viti Sholz siguron lejen mjedisore nga Ministria e Mjedisit. Top Channel zotëron lejen mjedisore, ku zbulohet se kapaciteti riciklues i fabrikës është 800 tonë skrap në orë. Në relacionin shoqërues të ligjit për mbetjet thuhet se stoku total i mbetjeve të skrapit nga automjetet e përdorura në gjithë vendin llogaritet në 120 mijë tonë.
Edhe nëse fabrika do të punonte vetëm 5 orë në ditë, me këtë kapacitet do të mjaftonte vetëm një muaj, që ajo të riciklonte të gjithë rezervat e skrapit që janë krijuar në 20 vite nga automjetet në Shqipëri. Shifrat që jep vetë Ministria e Mjedisit tregojne se Shqipëria krijon mesatarisht 6 mijë tonë mbetje skrapi nga automjetet në vit, kapaciteti riciklues i kompanisë është aq i madh sa mund ta përpunojë atë vetëm në një ditë. Kjo do të thotë se kompanisë do i duhen burime të tjera skrapi, për të cilat opozita dyshon se do vijnë nga importi, që qeveria e lejoi vetëm pak ditë më parë. Ndërkaq ka edhe një hije tjetër dyshimi.Në bazë të ligjit shqiptar aktiviteti i ricklimit të mbetjeve, vec lejes së mjedisit kërkon edhe një licensë specifike që në gjuhën teknike quhet licenca tre dy B dhe që lëshohet nga Qendra Kombëtare e licensave. Burime të sigurta nga ky institucion i thanë Top Channel se deri më sot kompania nuk është pajisur me këtë license edhe pse pamjet tregojnë se në Xhafëzotaj ajo po kryen sakaq aktivitet. Gjithë kjo kronologji për opozitën tregon se ky është një rast i pastër kur ligji ndjek nga pas një biznes për interesa të caktuara.
Top Channel