Një dasmë e përzier me përbërës nga Amerika Latine dhe tradita shqiptare. Emisioni “Pasdite në Top Channel” ka qenë prezent në një dasmë mes një nuseje nga Kosta Rika dhe një dhëndrri shqiptar.

Nusja tregon ngjashmëritë dhe ndryshimet që kanë mes tyre traditat e vendlindjes së saj me ato shqiptare.

“Mënyra se si ju shqiptarët i organizoni dasmat përgjithësisht është e ngjashme me dasmat në vendin tim. Ndryshimi është se vallet tona i kërcejmë në çift, ndërsa atë dorë për dorë nuk e kemi. Kam marrë pjesë në një dasmë në Shqipëri, por përpara dasmës mora leksione për të mësuar vallen popullore. Gjithsesi, në dasmën time u kërcye edhe tango që është tradicionale në vendin tim”, shprehet nusja kostarikane.

“Mendoj se ishte shumë më tepër nga ajo që mendoja në fillim. Jam e kënaqur që ishte me tradita shqiptare pasi jam martuar me një shqiptar. Përsa i përket kohës, dasma në Kosta Rika varion në një apo dy muaj. Gjatë javës që zhvillohet dasma kanë një javë festë: festa e beqarisë, vizita e prindërve dhe tradita e veçantë që është serenatë një ose dy ditë përpara dasmës. Dhëndrri mbërrin në 2 të natës me kitare dhe luan pjesë muzikore dhe të gjithë qëndrojnë jashtë shtëpisë, ndërsa nusja qëndron brenda dhe shfaqet një moment në dritare”, tregon nusja.

Top Channel