Natasha Lako – Ka shumë gjëra që shtrembërohen pa u nisur dhe një prej tyre është edhe
censusi i sotëm i shqiptarëve. Sa për veten time nuk isha në shtëpi kur
trokitën te porta madje isha e panevojshme në prezencë dhe fletën e
mbushi bashkëshorti im që u gjend rastësisht dhe më pyeti çfarë të
shkruante në telefon.
Nuk është se më parë nuk kisha dyshuar për diçka formale..në sistemin e vetëdeklarimeve. Duket që nuk do të jetë kaq i shfrytëzueshëm edhe ky census i vërtetë. Pak a shumë edhe pas tij do të ndodhë ajo që e dimë të gjthë. Do të vazhdojmë t’u referohemi ende të dhënave të kronikanit Mevla Celebiu. Ata që nuk kanë ndonjë interes të madh pronash që rrjedhin prej perandorisë osmane , ose nuk janë osmanologe, mund t’i referohen edhe një libërthi të vogël, në të cilin italianët përshkruajnë se si e gjetën Shqipërinë “e tyre”. Po kështu, mund të shfletohen, nëse kanë mbetur gjallë edhe statistika kur Shqipëria ishte pronë e një partie të vetme, ose kohë e famshme e kapitalizmit shtetëror, si e quajnë studiuesit e ftohtë. Por shumë pak do të dinë të shfrytëzojnë censusin e sotëm, pasi gjithsesi ai është një census i mohuar nga një pjesë shqiptarësh apo minoritetesh.
Si shihet vetvetiu, në vend që të shkojë përpara, sistemi i të dhënave të gjuhës shqipe sa vjen dhe ka filluar të degradohet, po të merret parasysh se për censusin e fundit të këtij dhjetëvjeçari të gjithë thonë se do të jetë një dështim. Nuk janë pak ata që nuk dëshirojnë të dinë se ç’tregon për shqiptarët ky dhjetëvjeçar. Madje ka prej tyre që janë tepër të irrituar sa duket sikur nuk pranojnë asnjë farë deklarimi. Ma merr mendja se këta të fundit, po të kishin lindur në kohën e Karl Linesë, që kreu i pari klasifikimin tonë në grupin e gjitarëve, do t’i ishin turrur për t’i prishur kasollen e ngritur në mes të akujve. Këtë e them se gjithnjë ka njerëz që nuk e dinë për çfarë arsye e ndiejnë veten të fyer, gjë që i bën edhe kërcënues dhe agresivë si ajo pamja e grisjes së ca fletëve m’u para hundës së kameramanëve të shumtë, ku një grup bënte thirrje për mosdeklarim të etnisë. Them me vete se në rast se bota do të kishte pasur këtë shpejtësi informacioni dhe mjetet e sotme të udhëtimit komunikues, nuk do të kishte mbetur më këmbë as ndonjë pikturë e Da Vinçit, që nuk do t’i kishte pëlqyer ndonjë pale tjetër. Nuk është vendi këtu të flasim për pasojat e sotme të komunikimit, as të slogojmë për një epokë që ka trokitur dhe që njerëzit janë marrë vesh ta quajnë një epokë të re te informacionit, as pse nuk jemi të zotët të komunikojmë me postë edhe për mbushjen e një formulari, as të kuptojmë se brenda ca fletëve kemi edhe lirinë e mosdeklarimit. Ajo që të vjen keq është që një përqindje mjaft e vlefshme e shoqërisë shqiptare, nuk e pranon në mënyre absolute dokumentimin e lirë dhe kjo në rastin e censusit në fjalë, dhe kjo tronditje e madhe u duk që nga dita kur u mor vesh kjo kërkesë europiane për të ditur veten. Kështu edhe njëherë morëm vesh se fushën tonë të mendimit dhe të veprimit kërkojnë ta zotërojnë ata që dashurohen me gjendjet konfliktuale dhe që janë të grinden edhe me këmishën e tyre.
Tani ne jemi të qartë se nuk do të mësojmë pothuajse asgjë nga ky census i zvogëluar dhe as duam të bëhemi, si komunitet i qashtër, pjesë e këtij raportimi europian. Megjithëse na ndodh shpesh të dimë fije, fije fjala vjen për efekte masterash dhe doktoraturash se cili është raporti i frigoriferëve dhe TV në vitin 1950 në Mbretërinë e Bashkuar.
Unë i respektoj ndjesitë e shqiptarëve, shumica të rinj, në vetëmbrojtjen e tyre instiktive apo të organizuar megjithëse shpreh shenja të dukshme konfliktesh dhe grisjesh. Pse të mos themi se me këtë rast mësojmë ca njësi operative që parashikojnë të gjithë rreziqet që sipas tyre duhet të kemi përpara. E vërteta është se me shenjat e shfaqura gjatë censusit po tregojmë se jemi një popull që nuk dëshirojmë ta identifikojmë as veten as ata që nuk i quajmë të ngjashëm. Jemi gati, që ashtu si grisim ca fletë regjistrimi, të grisim fletët e tatimit, fletët e votimit apo diçka tjetër, për të mos thënë edhe librat, në rastin kur ato nuk plotësojnë dëshirat tona.
Unë sigurisht jam edhe në anën e këtyre që dinë të revoltohen , përpiqem t’i kuptoj dhe të hyj në koshiencën e tyre më të re dhe të pashfaqur. Them vetëm se ata kanë frikë dhe ndihen të pasigurt. Të pasigurt dhe të kërcënuar veçanërisht ndoshta më shumë me shifrat e minoritetit sesa me shifrat e demokracisë. Por ndoshta thellë-thellë kanë frikë nga justifikimi që shqiptarët vetë vazhdojnë t’i bëjnë çdo të keqeje, madje edhe papunësisë së të rinjve që sot po trondit jo vetëm vendin e tyre, por gjithë botën. “Ata” nuk e dinë se duke grisur fletët e regjistrimit te etnisë, po u bëjnë thirrje pjesëtarëve të shumë të kësaj toke të mos deklarojnë që janë shqiptarë. Dhe këtu po perifrazoj djalin tim, i cili edhe ky si shumë të tjerë nuk ka si të ishte në shtëpi kur i trokitën te porta, për t’u vetëdeklaruar, të paktën ashtu si thonë lajmet.
Në këto kushte kaq dyshuese të të gjithëve ndaj të gjithëve, edhe unë kam dyshimet e mia. Kam dyshime se si ata fshatarët e Shën Gjergjit i shkaktuan ankth dhe vigjilencë anketueses së tyre me vetëdeklarimin e tyre të origjinës greke, duke dashur kështu t’i hapnin telashe vetes. Kam dyshime për gjyqësira dhe vetëgjyqësira dhe plot antigjyqësira të cilave u hap rrugë koklavitja a transparenca alla shqiptare dhe që nuk do të dinë të mbarojnë as për këso vetëdeklarime formale. Si pasojë kam dyshime se si do t’i shfrytëzojnë këto të dhëna të traumatizuara sociologët e ardhshëm në mos sociologët e sotëm që kanë në përdorim vetëm sytë dhe veshët dhe e kanë më të lehtë t’i referohen përsëri e përsëri si një destinacioni të sigurt dëshmive mjaft të sinqerta të Mevla Celebiut. Ekzistenca e gjithë këtyre dyshimeve tregon se as demokracia shqiptare nuk është bërë gati për t’u dokumentuar, se ne pranojmë më mirë të inskenojmë veten me fjalën e folur dhe si pasojë jemi të dashuruar pas idiomës “thin ice” te anglishtes, që fjalë për fjalë do të thotë të shkelësh në një cipë akulli .
Sigurisht, çdo shoqëri normale, e konsideron bashkimin e të dhënave një pakt të parë të domosdoshëm të paqes sociale, pasi çdolloj shoqërie e pjekur dhe e maturuar e di mirë që nuk ekziston vetëm ajo paqja e madhe pas vdekjes. Edhe unë si shumë shqiptarë të tjerë, që pranojmë bashkësinë tonë të madhe dhe kaq të ndryshme do të kisha dëshirë të futem në të njëjtët “defterë”, qoftë me ata që vjedhin hekurin e transheve të hekurudhave, qoftë me ata atentatorë apo vrasës që e dinë mirë se jetojnë në një vend ku në të gjitha instancat është rrezik që të gjithë së bashku të justifikojnë të keqen, qoftë me njerëzit që sa më të sigurt të ndihen aq më shumë kërkojnë të zbythin njëri-tjetrin sigurisht për pare të ngjashme me suplementet e gazetave.
Personalisht nuk jam aq pesimiste për këtë degradim a ka gjasa dështim si pres që të thuhet për këtë census a vërtetim të jetës shqiptare. Këtij censusi do t’i bjerë vlera në Shqipëri si gjithçkaje tjetër. Por me këtë rast ne vazhdojmë të tregojmë dhe të ritregojmë se paqja jonë sociale është e sforcuar. Në një vend ku disa vjet më parë ishte pronare e gjithçkaje një parti e vetme dhe ku kjo inerci vazhdon ende me çdo parti fitimtare, nuk mund të kuptojmë asgjë jashtë politikës dhe ngërçeve të tjera ose nuk mund të realizojmë asgjë jashtë politikës dhe ngërçeve kundër atyre që nuk i shohim si veten, qoftë edhe kur përgjigjemi për banjat e shtëpisë. Por sipas metodës laisez faire le t’i lemë të rrjedhin vetë edhe të dhënat tona. Edhe unë gëzohem kur mendoj se nga gjithë ky projekt vërtetimi dhjetëvjeçar të gjendjes etnike ekonomike dhe kulturore të shoqërisë shqiptareve, do të paguhen disa njerëz, pavarësisht se edhe në shtëpinë time vetëdeklarimin tim nuk e mbusha vetë. E di që të gjithë së bashku kemi filluar të jetojmë me dyshimin, por kjo nuk më pengon të shoh shpresën e suksesit, qoftë në një fije letre. Pasi në çdo rast, kur dikush përgjigjet, do të vërtetohet edhe diçka e rëndësishme. Do të shfaqet diçka prej asaj që jemi edhe në rastin kur për shkak të dyshimeve duam të mos shkruhemi fare.
Dhe kjo tregon të paktën sipas Dekartit, që miraton ndër të parët dyshimet njerëzore dhe që është bërë i njohur në qarqet shqiptare që në fund të shekullit XVIII, se jemi në agimin e demokracisë dhe gjykimit të pavarur, ndonëse të mbushur me mentalitete të shumta ballkanike. Ajo që të shqetëson në të kundërt është se sa i besueshëm do të mbetet ky i ashtuquajtur vetëdeklarim, kur dihet se në zona të largëta dhe të pazhvilluara shumë njerëz, veçanërisht të rinj dhe gra humbin edhe të drejtën e votës personale në emër të votës familjare. Shumë lehtë kësaj here do të ishte, të paktën në testim, të zbuloje edhe njëherë patriarkalitetin tonë pothuaj të ngulitur apo të tronditur. Kanë firmosur a deklaruar më tepër për të gjithë familjen djemtë apo vajzat, burrat a gratë, është më tepër se një kuriozitet, por thelbi i shoqërisë shqiptare. Mjafton të marrim vesh në mes të këtij dështimi që nuk ka lidhje pothuajse me politikën, të paktën në përqindje, se cilët anëtarë të familjes janë të prirur për të mbushur fletët e këtij vetëdeklarimi si është quajtur deri më sot. Le të dalë të paktën nga ky testim diçka e saktë, që nuk prek kënd, por që mund të shfaqë diçka të madhe dhe të rëndësishme për të treguar se cilët jemi dhe si po lëviz shoqëria shqiptare .
Të lehtësojmë përgjegjësinë për shpenzimet europiane, nuk është aq shumë. Por ajo që duket diçka e madhe brenda kësaj turbulance të vogël, ku të gjithë në vend të daulles u bien zurnave, ka të bëjë me zbulimin e putrave partiarko-autoritariste shqiptare që nuk merren vesh ende deri ku shtrihet nëpër fletë dhe në jetë
Parti, media, ambasadore zëdhënës, analistë dhe vazhdojnë të ushqehen përditë së bashku me formalizmin e fjalës që shkruhet dhe oralet e shakave edhe më të frikshme.
Top Channel