Babai i Rooney nën pranga për fiksim ndeshje

06/10/2011 16:05

Babai i futbollistit të famshëm të Manchester United, Wayne Rooney, u vendos nën pranga ditën e sotme, i dyshuar si antar i një rrjeti bastesh ilegale.

48-vjeçari u arrestua në banesën e tij, në zonën e Derbit Lindor, në Liverpul. Së bashku me babain e futbollistit, u arrestua edhe xhaxhai i tij, Richie, ndërsa numri total i atyre që janë vendosur në pranga si antarë të këtij klani shkon në nëntë.

Ekzistojnë prova se të pandehurit kanë ndikuar në fiksimin e një ndeshje të kampionatit skocez, midis Mathëruellit dhe Hartsit, dhjetorin e shkuar.

Mesfushori i Mathëruellit, Steve Jennings, gjithashtu figuron midis të akuzuarve, pasi mendohet se ai hyri në fushë me qëllimin që të ndëshkohej me karton të kuq.

Ai e përfshiu ndeshjen në protesta të vazhdueshme dhe në ndërhyrje të rënda, që sollën përjashtiumin e tij nga loja gjatë pjesës së dytë.

Pavarësisht se lajmi i bujshëm i arrestimit të babait të Rooney-t, ka vendosur menjëherë në dyshim edhe të birin, një zëdhënës i policisë saktësoi se ndërsa të arrestuarit janë shpërndarë në të gjithë Britaninë, provat janë të përqendruara vetëm në ndeshjet e kampionatit skocez dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar për momentin se rrjeti mund të ishte i shtrirë edhe në Premier League.

Federata Skoceze e Futbollit, në një deklaratë, shprehu keqardhjen për këtë lajm, por refuzoi të lëshonte ndonjë koment deri sa ngjarja të qartësohej. Ngjarja hetohej prej pothuajse një viti nga policia.

Top Channel