Dalin në sipërfaqe detajet e kontratës për blerjen e armëve për policinë e Kosovës, mbi të cilën po heton policia europiane e “Eulex”-it. Burime të afërta me zhvillimet bëjnë të ditur se vlera e kontratës për të cilën dyshohen se janë bërë keqpërdorime është rreth 1 milionë euro.

Ajo është nënshkruar në kohën kur Ministër i Brendshëm ishte Zenun Pajaziti dhe drejtor policie Sheremet Ahmeti. Procesi i tenderimit kishte filluar me datë 6 shkurt 2009, ndërsa kishte përfunduar në korrik 2009 për të filluar menjëherë me porosinë e mallit.

Bëhet fjalë për armëdhe municion për policinë, por në veçanti ai kontigjent armësh ishte për njësinë speciale dhe për policinë kufitare. Armët dhe municioni vinin nga kompania gjermane “Novar”, e cila kishte përfaqësinë e saj në Prishtinë dhe kompania “Friends”, pronar i së cilës është Armend Selimi, i cili edhe u arrestua një ditë më parë nga Eulexi.

Mësohet se nxitës i këtyre hetimeve ka qenë vetë Ministria e Brendshme. Kjo për faktin se kompania “Friends” e Armend Selimit ishte kompania e vetme që fitonte tenderët për shit-blerjen e armëve që nga koha e UNMIK-ut. Ndërsa sipas burimeve, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme kishin lidhjet e tyre me një kompani të ngjashme në Slloveni dhe për këtë janë ankuar në Eulex se kompania Friends ka krijuar situatë monopolin për sa i përket tenderëve për blerjen e armëve.  

Përfshirja e politikës në fenomenin e tenderëve nxit reagimin e shoqërisë civile të cilët kritikojnë udhëheqësinë e shtetit se nuk janë në gjendje të krijojnë shtetin e mirëfilltë ligjor.

Avni Zogiani, përfaqësues i organizatës civile “Çohu”, u shpreh se: “figurat politike dhe policore, të cilët ishin në krye të Ministrisë apo policisë gjatë kohës për të cilën dyshohet se janë bërë keqpërdorime heqin përgjegjësinë nga vetja. Ish-Ministri Zenun Pajaziti shfajsohet duke thënë se policia e ka zyrën e saj të prokurimit të pavarur. Nga ana tjetër, “Eulex”-i ka njoftuar se dyshohet se prej vitit 2008, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me miliona euro për shkak të veprimtarive të personave të arrestuar. Operacioni i djeshëm e kishte mbështetjen e plotë të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë i të cilëve ishte tejet i çmuar dhe mbetet pjesë qenësore e angazhimit për luftimin e këtyre veprave”.

Rexhepi: Hetimi nisi pas dyshimeve tona

 
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ishte në dijeni për hetimet e “Eulex”-it në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Kosovës.

Duke përkrahur fuqishëm hetimin e nisur, Ministrit Rexhepi thotë se, lidhur me këtë çështje më shumë është përgjegjës, UNMIK-u, pasi sipas tij, në atë kohë MPB-ja nuk ka pasur kompetencë importi të armatimit. 

Rexhepi sqaron se hetimi ka nisur duke u bazuar në një tender që ka të bëjë me furnizimin e policisë me armatim dhe municion. Ndërsa tani me ligjin e ri, Ministria e bën vetë listën nacionale të armatimit.
 
“Ka patur fjalë më herët, dyshime dhe ne kemi kërkuar që kjo çështje të sqarohet. “EULEX”-i ka marrë veprimet e duhura, mua një natë më herët më kanë informuar dhe unë e kam përkrahur plotësisht. Hetimi i “Eulex”-it ka nisur nën dyshimin e bazuar për një tender i cili përfshinte furnizimin me armatim që nga viti 2009 dhe i cili ka përfunduar në 2010-n. Jo për të larguar përgjegjësinë, por ka ndodhur përpara se të merrja mandatin në këtë Ministri dhe në atë kohë importimi i armatimit është bërë me rregullore të UNMIK-ut. Licencimi ose autorizimi ka qenë nga UNMIK-u. Në atë kohë Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka patur kompetencë për importim”, tha Rexhepi.

Më tej, Ministri Rexhepi foli edhe për arrestimine gjashtë personave nga Eulex-i. Ai mohoi që ndonjëri nga ta është punonjës IMPS-së sipas tij, të arrestuarit janë punonjës të policisë dhe hetimet do të tregojnë nëse janë përgjegjës.
 
Pas bastisjes së Ministrisë së Brendshme dhe PK-së, gjashtë të arrestuarit u dërguan në gjykatën e qarkut në Prishtinë. Pas mbajtjes së seancës së pare, gjykata vendosi që ndaj Armend Selimit dhe Astrit Pirasit, furnizues të armatimit të caktohet një muaj paraburgim, ndërkohë Kadrush Koliqi, zyrtar i MPB-së iu caktua arrest shtëpiak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA