Drejtori i legalizimeve për Qarkun e Tiranës, Ferdinand Shehu, është shkarkuar nga detyra me argumentimin se ka fshehur të shkuarën e tij në Shërbimin Informativ të Shtetit.
Mbajtës i posteve të rëndësishme në kupolën drejtuese të ALUIZNI-t, shkarkimi i Shehut ishte paralajmëruar ditë më parë nga një fjalim i Kryeministrit, i cili sulmoi publikisht punën e këtij institucioni.
Megjithatë, siç informon e përditshmja “Shqip”, motivacioni nuk u lidh me performancën e dobët në punë, por me të shkuarën në pozicionin e hetuesit në Ministrinë e Brendshme, i njohur gjatë periudhës së komunizmit si “sigurims”.
Arsyet e largimit dhe komunikimin e ka paraqitur vetë drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, i cili thotë se, ish-kreu i Tiranës nuk ka shprehur në CV-në e tij punën në organet e hetuesisë, “duke dëshmuar mungesën e integritetit personal”.
“…Ajo çfarë është më e rëndësishme lidhet me faktin sesi një funksionar publik ka mashtruar në mënyrë zyrtare organet emëruese, përmes manipulimeve në jetëshkrim, duke lënë jashtë tij, një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues, në hetuesinë e rrethit të Vlorës (Urdhër nr.8 datë 22.08.1988).
Pa përfshirë këtu periudhën 1-vjeçare të kryerjes së kursit, pranë Hetuesisë së Përgjithshme, gjithashtu e ‘fshirë’ nga jetëshkrimi”, deklaron Shaban Memia, kreu i përgjithshëm i ALUIZNI-t.
Sipas tij, në CV-në e Shehut nuk figuron aktiviteti si efektiv i Ministrisë së Brendshme (shkresa nr.272, datë 13.04.1992), në profilin e kriminalistikës. Memia thotë se kjo sjellje e vartësit të tij ka cënuar edhe perfomancën në zbatimin e detyrimeve ligjore.
I pyetur nga “Shqip” (përmes telefonit), Shehu e ka rrëzuar motivacionin, duke i cilësuar si të pavërteta dhe intriga dashakeqe.
“Andej nga ora 15:00 (dje) më është komunikuar urdhri i drejtorit të përgjithshëm për largimin nga puna, ndërsa motivacionin s’e kam mësuar ende zyrtarisht. Të jeni të sigurt se kur t’i marr vesh do të bëj sqarimin e duhur”, tha ish-drejtori për Tiranën.
Pas insistimit të gazetës për të mësuar më tej arsyet e largimit, Shehu tha se e kaluara e tij ishte tepër e pastër. “Më lejoni t’iu them se karriera ime ka qenë super e shkëlqyer, me suksese si në biznes, ashtu dhe në politikë. Jam tërësisht i pastër dhe do të vërtetohet shumë shpejt, pasi të shikoj me kujdes motivacionin zyrtar të largimit.
Viti ’88? Në atë kohë jam diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë, dega mekanikë. Për të tjerat janë vetëm histori pa lidhje. Nuk di se për çfarë periudhe flet drejtori i përgjithshëm”, u përgjigj Shehu.
Përtej dy qëndrimeve me sfondin e së shkuarës, ajo që lidhet me largimin e Shehut ka të bëjë me të tashmen: performancë e dobët në procesin e legalizimeve.
Nuk dihen arsyet pse kreu i ALUIZNI-t zgjodhi motivacionin e ‘ish-sigurimsit’ për shkarkimin nga detyra të njërit prej bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë në drejtimin e procesit të legalizimeve, kur do të ishte më i drejtë komunikimi i largimit me punën e dobët.
Me sa duket, zbatimi i ligjit të lustracionit, edhe pse nuk është miratuar ende, ka nisur më herët zbatimin tek ALUIZNI.
Top Channel